Heqja e makinave, Kushtetuesja nis shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës ankimore të Unionit të Gjyqtarëve në lidhje me vendimin e qeverisë që hoqi makinat për zyrtarët. Përfaqësuesit ligjorë të Unionit të Gjyqtarëve dhe përfaqësuesit e Kuvendit u përballën me argumente ligjore përballë njëri-tjetrit, duke u munduar që të bindin trupin gjykyes të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesi jurudik i Unionit të Gjyqtarëve tha se ky vendim është vullnet i politikës së momentit, për të realizuar disa qëllime të ngushta, duke dalë mbi thelbin e shtetit të së drejtës dhe lirive të barabarta. "Po të shikojmë, edhe Gjykata Europiane, përveç makinave në dispozicion, gëzon një sërë shërbimesh të tjera që lidhen me të mirat materiale dhe sigurinë fizike. Gjyqtarët në vendin tonë, përkundrazi, nuk gëzojnë respektin e duhur, madje u mohohet edhe mbështetja më minimale", tha përfaqësuesi i Unionit të Gjyqtarëve.
Sipas tij, ligji nuk u konsultua me grupet e interesit dhe shkel Kushtetutën. Më tej, ata u shprehën se ligji për kufizimin e transportit të zyrtarëve është miratuar me propozim të qeverisë dhe nuk është konsultuar paraprakisht me grupet e interesit. "Ishte e domosdoshme që gjyqtarët të ishin pjesë e vendimmarrjes në lidhje me ligjin. Siç e dini, pushteti gjyqësor vetëqeveriset dhe Këshilli i Ministrave nuk mund të përcaktojë ose të kufizojë mjetet e transportit. Pra kjo ndërhyrje e Këshillit të Ministrave përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ndërhyrje në pushtetin gjyqësor", ishte një tjetër argument i Unionit të Gjyqtarëve. Në pyetjet e tyre drejtuar palës së interesuar, gjyqtarët e Kushtetueses thanë se përfitimet e gjyqtarëve dhe sidomos shërbimi me makinë në dispozicion, nuk është i sanksionuar në ligj. Për sa i përket Kushtetutës, ata theksuan se Kushtetuta parashikon edhe kufizim të pagave në rast krize të rëndë ekonomike. Por sipas Unionit, shërbimet janë në statusin e tyre dhe të parashikuar në Konventën e Venecias. Ndërsa përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Marsida Xhaferalli, mbajti një qëndrim pro ligjit, me argumentin se shërbimi i makinave nuk është hequr, por është zëvendësuar me vlerë monetare. "Ligjvënësi nuk ka hequr transportin, por ka ndryshuar mënyrën, pra me para", tha ajo.