E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Kushtetueses: Mos pezulloni ligjin!

Kryetarja e Kuvendit Topalli, në një letër dërguar Gjykatës Kushtetuese, kërkon shmangien e konfliktit të interesit nga anëtarët gjatë gjykimit


Kuvendi vlerëson se, Gjykata, për shkak të konfliktit të interesit, nuk mund të marrë në gjykim një ligj të tillë


TIRANË - Në një moment kur i gjithë faktori ndërkombëtar është vënë kundra ligjit të "Dosjeve", Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të mos marrë parasysh kërkesat e shumanshme për pezullimin e zbatimit të tij. Me anë të një korrespondence zyrtare, Kryeparlamentarja, duke shfrytëzuar institucionet e saj të vartësisë, siç është edhe zyra e Shërbimit Legjislativ, i ka nisur së fundmi një letër Gjykatës Kushtetuese, në themel të së cilës qëndron kërkesa për mospezullimin e ligjit, si dhe shmangien e konfliktit të interesit që mund të kenë gjyqtarë të caktuar të kësaj trupe gjatë gjykimit të kësaj çështjeje.
Pezullimi i ligjit
Duke iu përmbajtur më shumë logjikës së moralit të dënimit të krimeve të komunizmit dhe jo asaj të ligjit, Kuvendi, në letrën e vet, nuk nguron që t'i sugjerojë Gjykatës Kushtetuese, në formën edhe të një leksioni në fushën e së drejtës, se cila është rruga e drejtë që ky institucion duhet të ndjekë në vendimmarrjen e vet. Kështu, hapi i parë, sipas legjislativit, është rrëzimi nga ana e kësaj gjykate e kërkesës për pezullimin e ligjit, deri në një vendimmarrje edhe për kushtetueshmërinë e tij. Në funksion të këtij qëllimi, institucioni i Kuvendit i sjell në vëmendje gjykatës faktin se një ligj i ngjashëm është konsideruar si Kushtetues edhe nga Gjykata Kushtetuese e Çekisë. "Nisur nga një pretendim i kërkuesve për pezullimin e zbatimit të ligjit, gjykojmë se një kërkesë e tillë nuk mbështetet në nenin 45 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese". Ky ligj nuk sjell pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore apo të individëve (subjekteve që u drejtohet). Për më tepër, pasoja të tilla nuk mund të jenë të menjëhershme për të justifikuar shqyrtimin për marrjen e masës së pezullimit, përpara se kjo kërkesë të shqyrtohej në seancë plenare të Gjykatës Kushtetuese", - thuhet në letrën që Kuvendi i ka nisur Gjykatës Kushtetuese. Madje, me anë të kësaj letre, Kryetarja e Kuvendit arrin deri aty sa t'i kujtojë gjykatës se do të ishte antikushtetuese marrja e një vendimi për pezullimin e ligjit. "Paraqesim kërkesën tonë, si subjekt i interesuar me të drejtë ndërhyrjeje edhe në këtë fazë të procedimit kushtetues, për të mos ndërmarrë vendimin e pezullimit të efekteve të ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", - thuhet më tej në letër, lidhur me kërkesën për pezullim.
Konflikti i interesit
Pretendimet mediatike të mazhorancës, se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta gjykojë ligjin e "dosjeve" se ndodhet në konflikt interesi, tashmë janë bërë zyrtare në letrën që Kryeparlamentarja Topalli i ka nisur kësaj gjykate. Kështu, përmes një analize të gjatë, hartuesit e kësaj letre argumentojnë domosdoshmërinë ligjore për të pasur një trupë gjykuese të paanshme. Në funksion të këtij argumenti, gjykohet se vetë ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", por edhe të një sërë normash të tjera ligjore, përcaktojnë detyrimin që, gjyqtarët që ndodhen në konflikt interesi, të tërhiqen nga shqyrtimi i një çështjeje të caktuar. Madje, parimi i paanësisë në gjykim, sipas letrës është parësor kundrejt çdo parimi tjetër, qoftë edhe në rastet kur mund të rrezikohej shkaktimi i pamundësisë për të gjykuar një çështje, për shkak të mosarritjes së kuorumit për të shqyrtuar çështjen apo për të marrë vendim. Duke iu përmbajtur kësaj logjike, Kuvendi arsyeton se gjyqtarët që kanë mbajtur detyra shtetërore të përcaktuara në nenin 4 të ligjit, nuk mund të shqyrtojnë këtë ligj apo të zbatojnë atë. "Ju sigurojmë se Parlamenti nuk është kundër gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, por situata, që me sa duket, ndodhet Gjykata Kushtetuese, kërkon të gjejë mënyrën që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit, të gjejë instrumentet, për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë se ka anëtarë të gjykatës në konflikt të hapur interesi", - shprehet Kuvendi në këtë letër. Gjithashtu, me anë të kësaj shkrese, Kuvendi, në mënyrë kontradiktore, nga njëra anë vlerëson se Gjykata, për shkak të konfliktit të interesit nuk mund të marrë në gjykim një ligj të tillë, nga ana tjetër sjell në vëmendje se një ligj i ngjashëm është gjykuar nga kjo gjykatë në vitin 1995 dhe e ka vlerësuar ligjin si kushtetues.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›