E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PD-ja, autoriteti nuk ngrihet të hënën

Mazhoranca do të mbajë pezull zbatimin e ligjit, deri në një qëndrim të dytë të saj


TIRANË- Ka rezultuar vendimtare ndërhyrja e djeshme e Bashkimit Evropianë për fatin e ligjit të "dosjeve". Pas një rezistence gati dymujore, mazhoranca duket se është dorëzuar përballë presionit në rritje të ndërkombëtarëve, dhe pritet që në ditët në vijim të reflektojë një qëndrim të ndryshëm nga ai që ka mbajtur deri më sot për ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i njohur nga opinioni i gjerë si ligji i dosjeve. Zbutja e këtij qëndrimi ka nisur të vihet re që dje, ku është evidentuar një tërheqje e kësaj shumice nga vendimi për ta votuar ngritjen e autoritetit të kontrollit të figurave ditën e hënë. Faktikisht, dita e djeshme ka dhënë dy pamje të ndryshme të qëndrimit të mazhorancës për këtë ligj, ku natyrisht, protagonist ka qenë legjislativi. Gjatë paradites së djeshme, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deklaroi përpara mediave se do të vijohej me zbatimin e ligjit, duke filluar që nga ngritja e këtij autoriteti gjatë seancës plenare të ditës së hënë, duke lënë të kuptohet qartë vendosmërinë e mazhorancës për t'i shkuar deri në fund qëndrimit të saj. E pyetur nga gazetarët nëse Kuvendi do t'i përmbahej kalendarit të punimeve për të votuar autoritetin, Topalli i është përgjigjur: "Agjenda parlamentare është agjendë parlamentare", duke lënë të kuptohet qartë se ajo do të zbatohej me përpikëri. Madje, në fjalën e saj, Topalli, duke folur me superlativa për ligjin, ka bërë të ditur se nëpërmjet një letre, i kishte kërkuar edhe Gjykatës Kushtetuese që të mos e pezullonte zbatimin e ligjit. "Parlamenti po përgatit edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm, që ne të respektojmë një princip shumë të madh, që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës: principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë, ai gjykatës që është në konflikt interesi, nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor", - tha Topalli. Por, çdo gjë duket se ka ndryshuar pasdite, ku deklarata përfundimtare e BE-së për këtë ligj, ka bërë që kjo shumicë të ndryshojë bindje. Kështu, Kuvendi është kujdesur që fjala e Kryetares të mos interpretohej si mostërheqje e mazhorancës nga qëndrimi saj për ligjin. Madje, Kuvendi ka sqaruar se deklarata e Kryetares për respektimin e agjendës parlamentare, pra të kalendarit të punimeve, nuk ka pasur si qëllim që të evidentojë zbatimin e vendimit për ngritjen e autoritetit të konkurrencës, por se për ndryshimin e agjendës do të duheshin 2 të 3 e votave të të gjithë deputetëve. Megjithatë, burime pranë mazhorancës konfirmojnë se, tërheqja nga ligji, nuk do të thotë rrëzimi i ligjit, por lënie pezull në mënyrë të heshtur, duke mos e zbatuar dhe për të pritur, ndoshta, një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›