E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes zgjedhjet, dosjet dhe gjyqësorin

13/02/2009  ambasadori britanik Fraser Wilson flet mbi sfidat e Shqipërisë drejt integrimit europian

“Fatkeqësisht, qeveria nuk duket të ketë pasur në vëmendje shqetësimet e BE-së”

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ligji i lustracionit dhe reforma në gjyqësor janë konsideruar si çështjet kryesore aktuale në Shqipëri nga ambasadori i Britanisë së Madhe Fraser Wilson. Gjatë një referati të mbajtur me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër diplomati britanik theksoi se në secilën nga këto raste shteti i së drejtës ka rëndësi thelbësore. “Këto çështje janë të lidhura pandashmërisht me reformat që mbeten për t’u bërë për të fuqizuar sundimin e ligjit në Shqipëri, reforma këto që, nëse nuk zbatohen, pengojnë integrimin e mëtejshëm evropian”, - tha Wilson.

Zgjedhjet

Ambasadori britanik Wilson shprehu dje shqetësimin në lidhje me vonesat në procesin parapërgatitor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Procesi parapërgatitor i zgjedhjeve të 28 qershorit fatkeqësisht ka hasur në vonesa. Për shembull, Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve nuk u formatua brenda afatit të përcaktuar kohor dhe ka pasur vonesa në procesin e lëshimit të letërnjoftimeve të reja”, - tha ambasadori britanik. Por ai shtoi se qeveria është e bindur se mund të lëshohen në kohën e duhur letërnjoftime të mjaftueshme për të mundësuar që zgjedhjet të shkojnë pa probleme.

Reforma në gjyqësor

“Reforma e gjyqësorit është thelbësore për progresin e integrimit të Shqipërisë. Kjo reformë nuk është kompletuar akoma dhe janë të pakta premisat se kjo gjë do të ndodhë përpara zgjedhjeve”, - u shpreh Wilson. Sipas tij, masa si ligji i ri për pastërtinë e figurave kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe organit të akuzës. Duke vijuar më tej për reformën në gjyqësor, diplomati britanik vuri theksin në korrigjimet që i duhen bërë elementeve të tjera të reformës në gjyqësor për ta bërë sistemin e drejtësisë më të ndershëm dhe transparent. “Është shumë e rëndësishme për transparencën dhe përgjegjshmërinë e drejtësisë në Shqipëri që gjyqtarët të detyrohen të shpjegojnë dhe justifikojnë motivacionet për marrjen e vendimeve”, - tha Wilson, ndërsa kërkoi që elementët e korruptuar brenda gjyqësorit të eliminohen shpejt dhe përfundimisht. Ai u shpreh se përpara Samitit të Bukureshtit u aprovua ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, por qysh me hyrjen në fuqi të këtij ligji nuk kemi parë ndonjë progres të madh. “Ajo çfarë nevojitet janë ndryshimet konsensuale dhe të përbashkëta që zgjidhin shqetësimet e kahershme për pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin, presionit të paligjshëm mbi dëshmitarët, influencën politike mbi gjykatat etj.”, - tha Wilson.

Dosjet

Duke u ndalur në një nga çështjet më të debatueshme të politikës shqiptare. ligjin e lustracionit, ambasadori britanik tha se fatkeqësisht qeveria shqiptare nuk duket të ketë pasur në vëmendje shqetësimet e Bashkimit Europian dhe faktorit ndërkombëtar. “Pasojat e kësaj çështjeje për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE janë shqetësuese kur qeveria ka shpallur synimin e saj për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Mbetet për t’u parë nëse zbatimi i ligjit do të pezullohet derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për ligjin”, - tha Wilson.

Integrimi

“Eksperienca aktuale e zgjerimit të BE-së do t’i bëjë shtetet anëtare edhe më të kujdesshme për të pranuar vende të reja, të cilat mund të mos përmbushin standardet tona të larta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, - tha Wilson. Sipas tij, tentativa e fundit në Tiranë për të vrarë një gjyqtar të Gjykatës së Lartë ngre akoma shumë shqetësime. Diplomati britanik tha se që progresi i integrimit evropian të vazhdojë, Shqipëria duhet të tregojë se krimet e rënda, veçanërisht krimi i organizuar, të hetohen dhe procedohen siç duhet. “Shqipëria ka nevojë për ligje që plotësojnë kërkesat e vetë Shqipërisë”, - tha Wilson.

Reformat

Eksperienca e vendeve që kanë hyrë në BE vitet e fundit dhe progresi që kanë bërë në forcimin e zbatimit të ligjit mund të ndihmojnë Shqipërinë në procesin e reformave. Por progresi real do të ndodhë vetëm kur Shqipëria të miratojë ligjet e reja më të rëndësishme me konsensus dhe kur këto ligje të plotësojnë nevojat e vetë Shqipërisë. Zbatimi i ligjit është po aq i rëndësishëm sa edhe legjislacioni.

NATO

Këtë vit Shqipëria ka shumë mundësi të anëtarësohet në NATO. Progresi në fushat e “sundimit të ligjit” ka qenë një kusht që Shqipëria të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO në Samitin e Bukureshtit, ashtu siç është themelor dhe për integrimin e mëtejshëm europian, megjithëse kushtet për këtë të fundit do të jenë shumë më të forta. Viti 2009 do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

Korrupsioni

Perceptohet se korrupsioni në Shqipëri është i madh. Nëse njerëzit besojnë se zyrtarët kryesorë janë të korruptuar, atëherë ata as nuk do të përpiqen t’i kërkojnë shërbimet që u takojnë. Pea, efekti është i njëjtë si kur korrupsioni është i lartë, si kur njerëzit besojnë se është i tillë: shqiptarët nuk marrin shërbimet që i meritojnë dhe u takojnë. Shqipëria ka marrë disa angazhime për të luftuar korrupsionin.

KE dhe Çekia për lustracionin

Dosjet, ligji ka paqartësi kushtetuese

Këshilli i Europës i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të vonojë implementimin e zbatimit të ligjit të lustracionit derisa Gjykata Kushtetuese të ketë shqyrtuar kushtetutshmërinë e tij dhe Komisioni i Venecias të ketë pasur mundësinë ta marrë në konsideratë atë. Kjo është rruga që propozohet nga KE-ja për të shmangur krijimin e një krize. Përmes një njoftimi zyrtar Këshilli i Europës bën të qartë se ekziston mundësia për një përplasje të madhe partiake-politike mbi ligjin e ri shqiptar të lustracionit para zgjedhjeve të qershorit dhe nxit të gjithë palët të bëjnë ç’është e mundur për të shmangur këtë. Ndërkohë ambasadorja e Çekisë në Shqipëri përmes një prononcimi për mediet është shprehur se ligji i lustracionit ka nevojë për ndryshime, pasi në të ka paqartësi të theksuara kushtetuese. Fialkova mbrojti gjithashtu edhe nevojën e futjes në fuqi të një ligji të tillë. Ajo kërkoi nga qeveria shqiptare që të marrë parasysh paqartësitë kushtetuese të ligjit dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme. Duke iu shmangur komentimit të qëndrimit të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me këtë çështje, Fialkova tha se ai nuk do të ndikonte integrimin e vendit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›