E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkohen PDU dhe PDI: Të dy partitë do të shkrihen në një subjekt të vetëm politik

TIRANË- Partitë çame, PDU dhe PDI kanë vendosur t'i japin fund krizës ndërmjet tyre për t'u bashkuar tashmë në një subjekt të vetëm politik. Të dy krerët e këtyre partive, Tahir Muhedini i Partisë Drejtësi dhe Integrim, si dhe Shpëtim Idrizi i Partisë Drejtësi dhe Unitet, kanë kërkuar bashkimin midis tyre, për t'i dhënë më shumë zë çështjes çame. Bashkimi i këtyre partive do të kontretizohet në një forcë të vetme politike, që do të mbrojë çështjen çame. Për këtë aryse, autoritetet drejtuese të të dyja forcave politike kanë filluar negociatat mes tyre për të zgjedhur liderin e ri të subjektit të ri politik dhe të vetëm çam. Iniciativa politike për shkrirjen e këtyre dy partive u bë i njohur në 19 -vjetorin e krijimit të shoqatës "Çamëria'', ku kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi bëri thirrje për bashkimin e forcave politike aktuale çame. Sipas Idrizit, partia që ai drejton e ka bërë këtë apel shpeshherë, që forcat politike që mbrojnë çështjen çame, të jenë të bashkuara. "Ne disa herë kemi bërë thirrje që të gjendet mundësia, që të gjithë faktorët politikë, që kanë në themel zgjidhjen e çështjes çame, të jenë të bashkuar. Ne jemi të bindur që, ato që na ndajnë janë shumë të vogla para asaj që duhet të na bashkojë, amaneti i të parëve - dhe dhënia e drejtesisë për çeshtjen çame", - tha dje Idrizi.

Për këtë aryse, sipas Idrizit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie është marrë vendimi për bashkimin me partinë tjetër çame, PDI-në. "Me këtë përgjegjësi ne dje (të premten) kishim mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe ku u mor një vendim shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. PDU vendosi që të shprehë vullnetin politik për bashkim me të gjitha forcat politike, që kanë në themel çështjen çame, e jemi të gatshëm të fillojmë negociatat politike për këtë. Ne vendosëm të mandatojmë 4 personalitete të rëndësishëm të kësaj force politike, për të negociuar modalitetet e këtij bashkimi. Ky është një vendim institucional e ne jemi të bindur që duhet të ecim përpara të bashkuar", - u shpreh Idrizi. PDU nuk ka lënë pa hedhur akuza edhe në drejtim të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Vangjel Dules, se po mban qëndrime negative ndaj popullsisë çame. Kjo popullsi aktualisht në Kuvend përfaqësohet vetëm nga deputetë e PDU-së, Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi. Të dy këta deputetë formuan subjektin politik PDU, pas largimit të tyre, përkatësisht të Idrizit nga Partia Socialiste dhe Tahirit nga Partia Drejtësi dhe Integrim pas konflikteve të brendshme me drejtuesit e kësaj force politike. Por, këto dy parti do të shkrihen në një subjekt të vetëm politik që do të marrë një emër të ri, por që në thelb do të ketë mbrojtjen e çështjes çame.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›