E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ligji do zbatohet për të gjitha institucionet

 

“Ka ardhur koha të ndërtojmë një identitet kombëtar me themele dhe institucione të pastra dhe të forta. Ligji i Dosjeve, ndonëse i vonuar për shkaqe, që nuk vareshin nga ne, do të zbatohet për të gjitha institucionet, si për Parlamentin, Presidencën, Qeverinë, Gjykatën Kushtetuese etj”, deklaroi dje në Kuvend kryetarja e tij, Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj.
Duke mbrojtur draftin në fjalë, tha se “i bazuar në modelin çek, ligji është i standardeve evropiane. Ai plotëson kërkesat e Këshillit të Evropës dhe punon më shumë drejt paqes sociale”. 
“Unë mendoj se ky ligj, ndonëse i vonuar për shkaqe, që nuk vareshin nga ne ose Partia Demokratike në vitin ‘95 e bëri dhe e zbatoi atë zoti Ngjela. Filloi ta zbatojë zoti Ngjela. Po ndodhi ‘97-ta dhe në ‘98-ën u ndryshua. Ky ligj avokat, do të zbatohet për Parlamentin për Presidencën për Qeverinë për Gjykatën Kushtetuese për Gjykatën e Lartë për Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të gjitha institucionet, që ky Parlament ka votuar në ato kushtet e vitit ‘97, ‘98, ‘99 kur nuk kishte ligje”, tha Topalli. Gjatë një fjalimi të gjatë mbrëmë në Kuvend, kryetarja e tij, risolli përmes përjetimeve personale, dramën e madhe të vuajtjeve të shqiptarëve në periudhën 50-vjeçare të regjimit komunist. Ajo bëri një ekspoze të fatkeqësive, që solli instalimi në Shqipëri i sistemit komunist dhe adaptimi i modelit rus i drejtimit të shtetit, duke u shprehur se “përmes propagandës, bazuar në gënjeshtra, partia e klasës punëtore çrrënjosi besimin fetar, duke zhdukur drejtuesit kryesorë të besimeve fetare, pronën private përmes shtetëzimit të çdo gjëje, nga fabrikat e deri tek dyqani më modest”. Topalli e cilësoi regjimin komunist si të jashtëligjshëm dhe kriminal. “Regjimi komunist kishte natyrë antipatriotike. Ajo shiti edhe Kosovën e s’pyeti për çamët”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit, tha se si një regjim parti-shtet, në krye të tij u vendos Sigurimi i Shtetit, i cili gjatë gjithë rrugës së tij kreu disa akte kriminale për mbarë kombin.
“Sigurimi ishte instrumenti përmes së cilës vendimet e partisë viheshin në jetë. Aksionet kryesore kriminale ishin; Tradhtia e interesave të Shqipërisë; Instalimi i regjimit komunist ilegjitim dhe të detyruar përmes mashtrimeve masive; Tradhtimi i interesave themelore shqiptare. Ndarja e Kosovës ishte puna e parë e tij. Pushkatimi i Patër Anton Arapit, Lef Nosit, Bahri Omarit dhe firmëtarëve të tjerë të Aktit të Pavarësisë qenë aktet e para të këtij regjimi”, tha Topalli. Si për të ilustruar atë që ndodhte nga ai regjim dhe nga Sigurimi i Shtetit, kryetarja e Kuvendit solli dhe fakte nga jeta e saj personale, kur të afërm të saj u trajtuan në mënyrë çnjerëzore në kënetën e Maliqit. “Po ju them një histori personale kam qenë e vogël dhe në shtëpi dëgjoja gjithmonë për Maliqin atje ishin arrestuar të afërmit e familjes sime. Babai më thoshte se si një ditë kishte shkuar në Maliq për t’i çuar ushqimin dy vëllezërve të tij, që ishin arrestuar kur ishin 30 vjeçarë dhe po priste që ata të dilnin të merrnin ushqimin. Një njeri dilte nga pjesa e brendshme e rrethuar me tela dhe vazhdonte t’i afrohej dhe t’i buzëqeshte dhe përsëri ai s’e njihte. Vetëm në atë moment u kujtua që ishte i vëllai. Ishte me skelet, ishte një kufomë”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit kërkoi, që ky ligj të miratohej, sepse njerëz të atij sistemi nuk kanë të drejtë morale, që pas persekutimit që u kanë bërë rinisë, artistëve, shkrimtarëve, inxhinierëve të punojnë akoma në institucione të rëndësishme publike. “Unë personalisht ndihem jashtëzakonisht e nderuar, që jam kryetare e këtij Parlamenti, që e ka vendosur në axhendën e tij këtë ligj kaq të rëndësishëm. Natyrisht mendoj se vetëm kaq nuk mjafton. Ne duhet të marrim hapa të tjera të rëndësishme”, tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›