E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Dosjeve, shtyhet votimi

 

bledar hoti

Kuvendi shtyn votimin për ligjin e Dosjeve. Mungesa e konsensusit me opozitën ka detyruar maxhorancën, që të tërhiqet në momentet e fundit të seancës maratonë. Pas shumë diskutimesh pafund të së gjithë deputetëve të së djathtës, që kanë zgjatur mbi 8 orë, PD-ja është tërhequr nga ideja për të votuar projektligjin “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”. Kjo për t’i dhënë një mundësi arritjes së kompromisit politik mes maxhorancës dhe opozitës për të këtë projektligj. Largimi i PS-së dhe partive të tjera të opozitës ka detyruar disa herë Kryeministrin Sali Berisha të shprehet se është i hapur për të pranuar amendamente dhe propozime nga ana e opozitës, por kjo jo të realizohet duke vendosur kushte. Në seancë janë paraqitur disa amendamente nga PS-ja dhe nga disa deputetë të maxhorancës për projektligjin. Mësohet se të gjitha propozimet për ndryshimet e draftit të miratuar do të rishikohen në komisionin parlamentar të Ligjeve. Pas kalimit të këtij procesi pritet, që të votohet në seancën parlamentare të së hënës. Ky ka qenë afati i fundit i vendosur nga ana e maxhorancës në pritje të konsensusit. Kryetarja e Kuvendit pas mbylljes së diskutimeve në orën 01.30 bëri të ditur se janë paraqitur dy amendamente nga PS-ja dhe nga deputetët e PD-së për këtë projektligj. Edi Paloka, Gjok Vuksani, Safet Sulaj, Gëzim Karapici kanë paraqitur amendamentet e tyre. “Bazuar në nenin 75 të Rregullores, kur çmohet nga kryetari i Kuvendit, votimi i ligji shtyhet për të hënën, ndërsa komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë amendamentet”, deklaroi Topalli.
Kërkesa ndaj Presidentit
Ndërsa nga diskutimet e deputetëve të PD-së nuk kanë munguar thirrjet e lëshuara në adresë Presidentit të vendit Bamir Topi. Deputetët e PD-së, Safet Sula, Astrit Bushati dhe Arenca Trashani kanë kërkuar publikisht në diskutimet e tyre, që Presidenti të tërheqë dekoratën e dhënë ndaj Skender Breca. “Bashkohemi me qëndrimet e deputetëve Safer Sula dhe Osman Metalla, që Presidenti të marrë vendim për të tërhequr dekoratën, që ka akorduar muaj më parë”, deklaroi deputeti Bushati. Projektligji i miratuar nga ana e PD-së, parashikonte që brenda 6 muajve, Autoriteti i Kontrollit të Figurave të realizojë verifikimin e të gjithë zyrtarëve të zgjedhur. Ndërsa është sanksionuar se Autoriteti, në funksion të përmbushjes së detyrave të ngarkuara me këtë ligj, kërkon t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentacionet e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, qe kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji. Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të dërgojnë pranë Autoritetit, brenda 20 ditëve nga marrja e kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara nga Autoriteti. Seanca e gjyqit, zhvillohet me dyer të mbyllura. Ndërsa është përcaktuar se çdo zyrtar që do të kërkojë të punësohet në instancat e larta shtetërore duhet të parë të deklaratën e pastërtisë nga Autoriteti dhe më pas të paraqitet në institucionet ku do të punësohen.

pjese nga ligji

Neni 4
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave/cilësive të mëposhtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtarë i Komitetit Qendror të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;
c) Ministër, Zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit;
d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike;
e) Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit me veprimtari të karakterit politi, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë” (të ndryshuar), apo bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues, prokuror ose ndihmës prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike;
h) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.
Neni 13
Nisja e procedurës së verifikimit
Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të pastërtisë morale të funksionareve:
a) kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji.
b) me kërkesë me shkrim, të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij, për funksionarin publik;
c) me kërkesë të vetë subjektit, kur ai kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor.
Neni 14
Detyrimi për njoftim për emërimet apo zgjedhjet e reja
1. Drejtuesi i çdo institucioni depoziton tek Autoriteti, brenda 10 ditëve, njoftimin për kandidatët për emërime në një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji. Akti i emërimit bëhet vetëm pas marrjes së dëshmisë së verifikimit nga Autoriteti, të figurës së zyrtarit.
2. Në rastin e të zgjedhurve në Kuvend, në organet e qeverisjes vendore, apo në organe të tjera përfaqësuese kandidatët, që konkurrojnë i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. Ky njoftim bëhet nga kandidati ose propozuesit e tij.
3. KQZ nuk e regjistron kandidatin, në rast se ky nuk paraqet dëshminë e verifikimit.

Ngjela: Nëse miratohet ligji, rrëzohet Qeveria

Deputeti i pavarur Spartak Ngjela deklaroi se do ta votonte ligjin e dosjeve të paraqitur nga maxhoranca edhe pse ishte plotësisht i bindur se ai ligj nuk do të gjente zbatim. Duke folur në seancën parlamentare maratonë, Avokati tha se ligji nuk kthen paqen dhe nuk ka asnjë vlerë. “Një ligj që s’ka moralitet, çfarëdo që të ketë nuk mundet dot ta pranojë moralisht. Ligji që nuk gjen zbatim nuk ka vlerë. Kurrë nuk do ta ktheni paqen nëse nuk vendosni moralin. Nuk i dal ndesh ligjit, do t’ua votoj, por nuk ka vlerë, do t’u qëndrojë krejtësisht si fantazmë atyre që e bënë dhe nuk e dimë se për ç’qëllim e bënë”, u shpreh Ngjela. Sipas tij, miratimi i këtij ligji do të rrëzonte Qeverinë, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. “A e dini se çfarë do të ndodhë pas zbatimit të këtij ligji? Shikojeni me vëmendje. Rrëzohet qeveria aktuale, rrëzohet Gjykata e Lartë, po ashtu rrëzohet Gjykata Kushtetuese. Cili është ai kampion i madh, që mund të realizojë një ndërmarrje të tillë? Nuk jemi aq të varfër mendërisht sa të gënjehemi me lugë të zbrazur”, vijoi më tej Ngjela. Ish-deputeti demokrat u shpreh se ligji “bëhet për intencion, për qëllim fshehjeje, një ligj që nuk gjen zbatim nuk mund të ketë jetëgjatësi. Cila është ajo Gjykatë Kushtetuese që do vendoste kundër vetes? E dinë këta që kanë shkruar këtë ligj apo nuk e dinë? E dinë këta se një ligj bëhet nul, me kë tallen këta zotërinj? Si nuk pyetën një njeri që ka vuajtur sesi duhet bërë kjo. Nuk ka nevojë persekucioni për salla parlamentesh, persekucioni ka shkruar historinë e vet në letërsi, në dramë në tragjedi. Nuk mbeti në ca salla puniste, që të mbahet për qëllime personale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›