E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas tripletë në Qipro, afron Seria A për Duron

 

Jetmir Halilaj

Është mësuar të shënojë gola, por tre të tillë në një ndeshje, për dhjetë minuta, as që e kishte çuar ndonjëherë në mend. Klodian Duro e pohon pa ndrojtje këtë fakt. “Të shënosh është meritë, por të shënosh tre herë në një ndeshje, madje brenda një harku kohor prej 10 minutash, nuk është një gjë që të ndodh shpesh dhe aq më pak kur vjen pas një dëmtimi. Tani, një ditë pas ndeshjes, më duket vërtet e pabesueshme”, rrëfen 31-vjeçari për “Panorama”. Spektakli që dhuroi të shtunën kundër APOK-ut, bëri jehonë të madhe në Qipro, u trumbetua edhe nga media ndërkombëtare sportive. Padyshim, një moment publiciteti i shumë dëshiruar për çdo futbollist, madje pak orë pas tripletës që shënoi, u fol për emra skuadrash që dëshironin shërbimet e tij. “Siena është prej disa kohësh në bisedime me klubin – pohon Duro -, por nuk është vetmja. Ka edhe skuadra të tjera që interesohen për mua, por sinqerisht nuk mund të them më shumë se kaq, sepse do të ishte e padrejtë për të gjithë tifozët e Omonia Nikosias , por edhe për drejtuesit e saj. Nuk e keni idenë se çfarë atmosfere u krijua këtu pas kësaj fitoreje. Ndaj nuk dua t’i kushtoj shumë vëmendje merkatos në këtë moment. Unë do të doja ta mbyllja sezonin me Omonian, pasi këtë vit skuadra është mirë dhe mund të shpallemi kampionë, por Seria A, është një botë, ku çdo lojtar do të donte të ishte pjesë e saj. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar”. Skuadra e tij pas 18 vjetësh u shpall kampione e dimrit dhe është padyshim një nga pretendentet për të fituar titullin në këtë vit. Omonia Nikosia ndodhet në krye të klasifikimit me 33 pikë të grumbulluara në 13 javë kampionat. “Pas ndeshjes, presidenti i klubit, Miltiadis Neofitous nuk përmbahej. Filloi të më thoshte: ‘A e kupton çfarë bëre more? Ishte një mrekulli! Tani nuk ndalemi më!’ Nuk e kisha parë ndonjëherë aq të gëzuar – tregon mesfushori i Kombëtares shqiptare – Pas ndeshjes e gjithë skuadra më përgëzoi, ndonëse ajo që bëra, ishte meritë e gjithë ekipit”. Duro e ka kaluar plotësisht dëmtimin që pësoi disa javë më parë, i cili në disa ndeshje e detyroi të luante si rezervë. “Tani jam mirë, jam vërtet shumë mirë dhe shpresoj që të mos kem më probleme”. Raporti që kas krijuar me tifozët e Omonias është vërtet i shkëlqyer. “Këtu njerëzit dinë të ta japin një dorë edhe kur nuk je në maksimumin tënd. Të jepet gjithnjë mundësia të tregosh vlerat dhe jam shumë i kënaqur që kam pasur mbështetjen e tifozëve që nga koha kur shkela këtu. Madje pas ndeshjes u kënaqa teksa i shikoja që ishin në delir. Ndoshta edhe prej respektit që më imponojnë, nuk do të doja të largohesha nga Omonia. Janë vërtetë specialë tifozët e kësaj skuadre”, rrëfen Duro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›