E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon Ramën për dosjet, PS braktis Kuvendin

 

BLEDAR HOTI

Seanca për diskutimin e ligjit të Dosjeve ka vazhduar me tensionet dhe akuza të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament. Mosdhënia e konsensusit për ligjin e Dosjeve ka bërë, që opozita ta bojkotojë seancën e Kuvendit. Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar me tone të ashpra kreun e PS-së, Edi Rama, duke theksuar se mosdhënia e konsensusit lidhet me të shkuarën e tij. Berisha duke mos pasur konsensusin me opozitën ka fajësuar socialistët, se kur ishin në pushtet rrëzuan ligjin e vitit 1995 të miratuar nga PD-ja për hapjen e dosjeve. “Ju e zhbëtë lustracionin sepse i dhatë  pafajësi dhe dëmshpërblyet për vitet e burgimit Nexhmije Hoxhën. Korba e Zezë e të gjitha të zezave, që i ndodhën këtij kombi. Edhe kur i shoqi i saj i debilosur, herë imitonte një kafshe dhe një tjetër në oborrin tij, kjo drejtonte me dorën e zezë shtetin, madje dhe pas vdekjes, sepse Ramizi kishte sekrete”, deklaroi Berisha. Ndërsa nuk i ka kursyer sulmet ndaj kryesocialistit. “Keni thënë se ky ligj ka të bëjë me goditjen e Shtyllës apo të ndonjë shtyllari, por ju zotëri jeni vërtet fatkëqij, juve u mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare. Është i biri i një anëtari i KQ, që të gjithë përkushtimin e tij maksimal, total e kishte kur lustronte Enver Hoxhën nëpër buste dhe statuja, po, po dhe e merrte aty si kone për të lustruar bustet. Po, po e di mirë të gjithë, le të dalë të na e mohojë. Së dyti është nipi i Kolekës, ai ishte që i çoi në litar intelektualët, vetëm me vetëm se ishin më të mirë se ai”, deklaroi Berisha. Kjo ka shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj i kërkoi që të mos lakojë emra personash që nuk janë në sallë, siç është lideri i PS-së, Edi Rama. “Nuk mund të merreni me familjet e atyre personave, që nuk janë në sallë, ju lutem keni kujdes”, deklaroi Leskaj. Ajo theksoi se “në emër të grupit parlamentar të PS ju kërkoj të tërhiqni projektin, të konsultohet me ekspertë të Këshillit të Evropës dhe OSBE/ODHIR, në rast të kundërt ne nuk do bëhemi pjesë e këtij procesi për një ligj antikushtetues.

batutat

Berisha për Enver Hoxhën
Ç’bëri me Bahri Omarin që e mbajti Enver Hoxhën para luftës. E vuri para pushkatimit. Dëgjoni këtu, ka një djalë ai e ka pas sekretar të përgjithshëm të Akademisë. E keni dëgjuar që ai të shqipërojë ndonjë fjalë për të atin. E keni dëgjuar apo jo? Dëgjoni me dëgjoni këtu, se nuk ndodh kurrë në botë, midis dajës, Hitlerit, superxhelatit dhe babait të tij, patriot, atdhetar intelektual, zgjidhet Hitleri. As varret nuk ia kërkojnë atij.
Berisha për Edi Ramën
Juve u mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare. Është i biri i një anëtari të KQ, që të gjithë përkushtimin e tij maksimal, total e kishte kur lustronte Enver Hoxhën nëpër buste dhe statuja, po, po dhe merrte aty si kone për të lustruar bustet. Po, po e di mirë të gjithë, le të dalë të na e mohojë. Së dyti, është nipi i Kolekës, ai ishte që i çoi në litar intelektualët, vetëm se ishin më të mirë se ai.
Valentina Leskaj
Zoti Berisha të keni kujdes, keni disa seanca që përmendni emrin e Edi Ramës. Mos u merrni në sallë me njerëz, që nuk janë në seancë. Ju lutem mos e përsërisni. Ne dalim nga salla kthehemi në Kuvend jemi kundër ligjit, kthehemi kur të votohet Komisioni për Kodin Zgjedhor. Ligjin do e ankimojmë në Kushtetuese.
Sali Berisha-Valentina Leskajt
E nderuar zonjë, kryetarin tuaj aktual e njoh, prandaj i thashë të gjitha këto, e kam ftuar në vitin 1991, më 31 mars e kam ftuar për ta futur në lista e deputetëve. E kam bërë atë, kam dhe dëshmitarë. Nuk ka pse ta fsheh këtu, ja ku e kam dëshmitarin, Neritan Cekën. Atij dhe Ardian Klosit i kam kërkuar, që të futen në listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Nuk merrem unë me punë gjenetike, me punë familjare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›