E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Mandati ynë i dytë do të jetë mandati i punësimit dhe i liberalizimit të vizave

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi të zhvilluar me gra të Korçës, premtoi se “mandati i dytë qeverisës do të jetë mandati i punësimit, liberalizimit të vizave dhe mandati në të cilin Shqipëria do të bëhet gati për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”. 

Në këtë kontekst, kryeparlamentarja tha se “Projekti ynë është projekti i Shqipërisë evropiane, ashtu siç e kërkon Korça, ashtu siç e kërkon Tirana, siç e kërkon Durrësi, Shkodra, siç e kërkon e gjithë Shqipëria.” 

Duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të pajisen me kartat e identitetit, Kryetarja e Kuvendit siguroi se “28 qershori do jetë dita e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur dhe askush nuk do të mund ta prishë këtë ditë”. 

Për zhvillimin e zgjedhje të lira dhe të ndershme, Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë dhe të pajisen me karta identiteti.

“Ju bëj thirrje që të shkoni të merrni kartat e identitetit. Thojini edhe socialistëve dhe të majtëve që të shkojnë të aplikojnë për të marrë kartat e identitetit. Nga Korça do t’i them Edi Ramës, festën e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund ta prishë njeriu i certifikatave. Çështjen e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund ta prishë njeriu që ka prishur familjen e tij të vogël, dhe po prish familjen e tij politike. Ai që ikën nga shtëpia e tij, ai që ikën nga lista e deputetëve, ai mund të iki kudo, prej gjithkund”, tha Topalli. 

E sigurt se e djathta do të marrë dhe një mandate të dytë qeverisës, Kryetarja e Kuvendit tha se “shqiptarët do votojnë vijimin e ndryshimit sepse projekte të tjera të mëdha kemi nisur. Mandati i dytë do të jetë mandati i punësimit, do jetë mandati i liberalizimit të vizave. Do të jetë mandati në të cilin Shqipëria do të bëhet gati për t’u bërë anëtare e BE-së”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›