E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Ndihem e nderuar që ndoqa nga afër platformën e lirisë, që paraqiti presidenti Obama

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë e pranishme dje mes personaliteteve nga e gjithë bota, në ceremoninë e betimit të presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe tha se ndjehej shumë e nderuar që pati mundësi ta ndiqte nga afër ceremoninë ku Presidenti Obama deklaroi se do të vendoste një epokë të re. “Në fakt është e pabesueshme një ceremoni e tillë, jo vetëm për ne por edhe për amerikanët, tha kryetarja e kuvendit në një prononcim për mediat, menjëherë pas përfundimit të procedurës së betimit të presidentit të ri të SHBA-ve. Një ceremoni ku kanë marrë pjesë mbi të cilët kishin shkuar orë përpara në një të ftohtë shumë të madh për të zënë vendet e tyre. Ndjehem shumë e nderuar në fakt që pata mundësi  të shikoja këtë ceremoni madhështore për të cilën është vështirë të gjesh fjalë. Një ceremoni për të cilën kishte kohë që punohej nga një Komitet midis Kongresit dhe Senatit dhe fjalimi i një presidenti, i cili do të përballet me  sfida  të jashtëzakonshme. Është një kohë sfidash, por edhe Presidenti Obama e konsideroi se në periudha të vështira mund të lindin dhe oportunitete të mëdha. Në fakt edhe fjalimi i tij flet për vështirësitë e këtij momenti, por edhe për mundësitë e mëdha të populli  dhe të kombi të madh amerikan. Presidenti foli për problemet e brendshme foli për krizën ekonomike, humbjen e shtëpive, vendeve të punës, dhe po të shohësh në fjalimin e tij, Presidenti Obama foli për shpresën, fjalë të cilën ai e ka përdorur gjatë gjithë fushatës elektorale. Në të gjitha fjalimet e tij ka mbizotëruar kjo shprehje, të cilën ai ia ka drejtuar popullit të tij. Dhe gjëja interesante është se Presidenti Obama, në këto kohë sfidash të mëdha, u premton qytetarëve të tij se shumë fonde do të jepen për infrastrukturën, për të ndërtuar rrugë të reja, shkolla të reja, ura të reja, për të dhënë një mundësi më të madhe edukimi. Pra është një doktrinë që kërkon të implementojë gjatë mandatit të tij, është një doktrinë e cila bën që qytetarët amerikan të besojnë se kjo krizë do të kapërcehet. Askush më shumë se ne shqiptarët nuk është popull më proamerikan; askush më shumë se ne ka luftuar për liri dhe demokraci dhe kjo shkon me linjën e doktrinës dhe filozofisë e fjalimit të Presidentit Obama, i cili tha se SHBA do të mbështesin popujt që punojnë për paqe dhe demokracinë”.
Edhe presidenti Topi i çon një mesazh kryetarit të ri të SHBA-ve/Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, përmes një mesazhi, i përcolli dje pasdite Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, urimet më të mira me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë. Në mesazhin e publikuar në orën 18 të ditës së djeshme në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit shqiptar, orë që përkon me betimin e z. Obama si President i SHBA-së, z. Topi shprehet se “zgjedhja Juaj si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e më të përzemërta për fitoren Tuaj historike!". Më lejoni, Zoti President që, me këtë rast të ritheksoj besimin tim se niveli i shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës Suaj do të forcohet dhe zhvillohet më tej, në dobi të dy popujve tanë miq; vijon mesazhi i Kreut të Shtetit Shqiptar. Në vijim z. Topi shprehet se angazhimi i SHBA-së në mbështetje të popullit tim, përgjatë gjithë proceseve të brendshme demokratike-reformuese dhe sfidave atlantike-integruese, është për ne garanci inkurajuese për vazhdimësinë dhe kryerjen e suksesshme të tyre. “Dëshiroj t’Ju siguroj, Zoti President, për angazhimin tim dhe të vendit tim, si aleatë e partnerë të besueshëm përkrah popullit amerikan, në trajtimin e politikave të përbashkëta rajonale dhe globale me synim paqen, stabilitetin dhe zhvillimin për një bashkëjetesë harmonizuese mbarëbotërore!”, shprehet Presidenti Topi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›