E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova falenderon presidentin Bush dhe uron presidentin e ri Barack Obama

Atmosfera e ceremonisë së inaugurimit të presientit të 44-t amerikan, Barack Obama, ndihet kudo në Kosovë. Fotografi të presidentit të ri amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë me mesazhin ''Urime President Obama'' janë vendosur në postera të mëdhenj në rrugët e sheshet e kryeqytetit Prishtinë dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Krahas urimeve për presidentin Obama, Kosova shpreh edhe falënderimet e mirënjohjen për presidentin George W. Bush, mbështetësit të madh të pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008 e të njohur menjëherë brenda mandatit të tij dhe të paralajmëruar gjatë vizitës historike në Tiranë më 10 qershor 2007. George W. Bush do të jetë presidenti i dytë amerikan me emrin e të cilit do të pagëzohet një shesh i Prishtinës, me vendimin e qeverisë së Kosovës. Ka kohë që një shesh i kryeqytetit të shtetit më të ri në botë mban emrin e presidentit amerikan Bill Clinton, emrin sinonim të paqes e lirisë që i ndodhi Kosovës në pranverën e para 10 vjetëve, me ndërhyrjen e NATO-s. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një letër urimi në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dërguar më 5 nëntor të vitit të kaluar duke përgëzuar Barack Obamën dhe popullin amerikan për fitoren elektorale dhe zgjedhjen e presidentit të 44-t të SHBA-së, ka theksuar se ''lindja e shtetit tonë ka qenë rezultat i një përpjekjeje të gjatë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe ndihmës së jashtëzakonshme të SHBA-ve. Vërtet, kontributi i vendit Tuaj ka ndryshuar fatin e vendit tonë duke i shpëtuar njerëzit e tij nga zhbërja totale dhe duke iu dhënë shpresë për një të ardhme të ndritshme. Duke e vlerësuar ndihmën tepër të çmueshme që SHBA-të kanë dhënë për popullin e Republikës së Kosovës, ne e mirëpresim forcimin e lidhjes speciale në mes të dy vendeve tona në të ardhmen''. SHBA është vendi i parë në botë me prani diplomatike në Prishtinë që prej mëse 13 vitesh. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë më 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. Më 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë ambasadë, ndërsa më 18 korrik po të vitit të kaluar Tina Kaidanow është betuar si ambasadorja e parë amerikane në Republikën e Kosovës. Ceremonia e betimit të presidentit amerikan Obama transmetohet dejpërdrejtë në televizionet nacionale të Kosovës, ndërkohë që inaugurimi i tij është lajmi i parë në median kosovare. “Sot inaugurohet presidenti i 44-t amerikan, Barack Obama - Lindja e re e lirisë!”, “Barak Obama sot në mesditë bën betimin si kryetar i 44-t i SHBA”, “Dita e Obamas”, “Pacolli në ceremonnë e inaugurimit të presidentit Obama”, janë disa nga titujt e ballinave në shtypin e sotëm të Prishtinës. Ndërkohë që në Uashington zhvillohet ceremonia e inaugurimit të presidentit të 44-t të SHBA-së, në Prishtinë shoqata kosovare "Miqtë e Amerikës - Miqtë e Bill Clintonit” organizon një veprimtari për të falënderuar administratën e presidentit në largim, Bush dhe për të uruar presidentin e e ri, Obama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›