Fokus/Hillari Klinton, nga zonjë e parë në diplomate e parë
Me një zell të patreguar për punë dhe me një këmbëngulje të jashtëzakonshme, Hillary Clinton, shefja e ardhshme e diplomacisë amerikane e zgjedhur nga presidenti amerikan, Barack Obama po bëhet gati për këtë luftë të re me objektivin për të ndryshuar imazhin e Amerikës. Rivalja më e ashpër e Barack Obamës, senatorja e Nju Jorkut, e njohur për karakterin e fortë, bëri një nga fushatat më të ashpra elektorale duke mos hezituar të kritikojë naivitetin e kundërshtarit të saj, por lufta e ashpër mes dy demokratëve i përket tashmë së kaluarës. Gjatë fjalimit të saj prej pesë orësh para komisionit të Punëve të Jashtme të senatit që duhet të konfirmonte drejtimin e diplomacisë amerikane nga ish-zonja e parë, ajo vazhdimisht iu referua Barack Obamës dhe u angazhua për të vënë eksperiencën e saj në shërbim të presidentit të ri. Kostumi me pantallona ishte ''uniforma'' e fushatës elektorale të Hillary Klintonit, 61 vjeçe, e cila ka këmbyer prej disa vitesh syzet e saj me lentet e kontaktit që nxjerrin në pah shikimin e saj blu, shkreptitës dhe ndonjëherë vrasës. U bë pjesë e politikës me kundërshtimin e luftës në Vietnam. Në vitin 1993 hyri në Shtëpinë e Bardhë përkrah bashkëshortit, Bill Clinton. Në fillim të vitit 1999, brenga lidhur me skandalin seksual të sekretares, Monica Lewinsky merr fund. Lëndimi dhe poshtërimi, ''e shenjta Hillary'', siç e cilësojnë gazetat, vendos të falë Billin duke hequr dorë nga ndarja. ''Nuk do ta braktis kurrë, do të vazhdoj'', deklaroi atëhere ajo. Ajo tregon gjithashtu se ''Bill Clinton dhe unë kemi filluar një bisedë në pranverën e vitit 1971 (...) , dhe nuk kemi ndalur së foluri që atëherë''. Në vitin 2001, ajo bëhet senatore e Nju Jorkut, pas një fushate të tensionuar. Senatorja Clinton do të votonte në favor të luftës në Irak në vitin 2002. E lindur më 26 tetor 1947 në Çikago, në veri të Ilinoisit, Hillary Rodham Clinton, mamaja e Chelsea, 28 vjeçe, që mori pjesë aktivisht në fushatën elektorale të mamasë së saj që u zhvillua vitin e kaluar, premtoi se do të luftonte deri në fund për t'u bërë presidentja e parë femër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë fushatës, Clinton hodhi fjalë të ashpra kundër Barack Obama. Admiruesit e saj lavdërojnë kompetencën dhe eksperiencën e saj. Për kundërshtarët, emri i Hillaryt është sinonimi i ashpërsisë dhe cinizmit. Në skenën ndërkombëtare, ajo përfiton imazh pozitiv nga bashkëshorti i saj. Në muajin maj të vitit 2008, gazeta "The Times'' e klasifikoi të katërtën në listën e 100 personaliteteve më të njohura në botë. "Është personi i duhur për këtë rol. Ajo është e aftë, ka eksperiencë dhe është e njohur'', ka thënë Solana. Ajo do të përballet me sfida kolosale. Si ajo ashtu edhe presidenti i 44-t i SHBA-së është i pari që trashëgon dy luftra, luftën e gjatë kundër terrorizmit botëror dhe një tension të madh me Iranin
Sfidat e politikës së jashtme për qeverinë e Obamës/Luftë në Irak dhe Afganistan, tensione mes Pakistanit dhe Indisë, luftime mes Izraelit dhe Hamasit, konflikt atomik me Iranin - lista e detyrave të politikës së jashtme për Barak Obamën është e gjatë. Duket e pamundur që të gjitha problemet të trajtohen njëherësh, për shkak të krizës financiare globale dhe problemeve të rënda në SHBA. Por grupi i punës për politikën e jashtme ka kohë që ka filluar nga puna. Ministrja e Jashtme e emëruar, Hillary Clinton, bëri të qartë në seancën para senatit amerikan, se në drejtim të politikës së jashtme do të fillojnë kohë të reja. "Amerika nuk mund t'i zgjidhë e vetme problemet urgjente të botës, dhe bota nuk mund t'i zgjidhë ato pa Amerikën". Në vend të veprimeve unilaterale, në Uashington ka ardhur koha për të ashtuquajturin "smart power", pushtetin e mençur". Kështu deklaron Ministrja e Jashtme e emëruar, Hillary Clinton. "Ne duhet të ndjekim një politikë të mençur, një politikë inteligjente pushteti dhe të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion: diplomatike ekonomike ushtarake, politike, juridike dhe kulturore. Për çdo situatë duhet të kemi mjetin e duhur ose kombinimin e mjeteve të duhura". Edhe Alen Keiswetter, nga Instituti për Lindjen e Mesme në Uashington pret që Barack Obama, në fjalimin e tij me rastin e marrjes së postit të bëjë të qartë se SHBA-ja në politikën e tyre të jashtme do të përdorin si tonet e ulëta, ashtu edhe kërcënimet. Në konfliktin e Lindjes së Mesme, së pari duhet stabilizuar gjendja në Rripin e Gazës, pra përfundimi i luftimeve dhe furnizimi me artikuj ushqimorë dhe mallra ushqimorë. I mundur është gjithashtu edhe stacionimi i një trupe ndërkombëtare. Keiswetter thotë: "Si hap i dytë duhet të jetë rifillimi i bisedimeve të paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve. Sepse për të dyja palët është e domosdoshme të mos humbasin shpresat për paqen". Por lufta mes izraelitëve dhe palestinezëve është vetëm një nga problemet në tërësinë e konflikteve në rajon, probleme që fillojnë që nga Iraku dhe shkojnë deri në Indi. Obama të dielën e kaluar në televizionin ABC u shpreh: "Mendoj se Irani është një nga sfidat më të mëdha për ne. Siç kam bërë të ditur që gjatë fushatës elektorale, Irani nuk eksporton vetëm terrorizëm me ndihmën e Hamasit dhe Hisbollahut, por ka edhe qëllime atomike. Duhet ta ndryshojmë strategjinë tonë - dialogu është një fillim i mirë". Vanda Felbab-Brown, nga Brookings-Institute në Uashington, një nga institutet më të njohura politike amerikane e mbështet këtë strategji. Studiesja e shkencave politike sqaron, se lufta në Irak që dominonte për një kohë të gjatë opinionin nuk është më në qendër të vëmendjes. Gjendja e sigurisë në Irak ka shënuar përmirësime, dhe dhuna është ulur. Gjithashtu marrëveshja ushtarake parasheh tërheqjen e trupave amerikane deri në vitin 2011. Felbab-Brown: "E rëndësishme është, që qeveria amerikane të mbetet aktive në nivelin politik, të ruajë trysninë ndaj qeverisë shiite dhe grupeve sunite dhe kurde për arritjen e një ujdie politike. Qeveria e presidentit Bush nuk u mor aq shumë me këtë temë". Barack Obama, ka deklaruar se do të përqëndrohet tek lufta në Afganistan. Por, krahas këtyre konflikteve të pazgjidhura, Barack Obama trashëgon në politikën e jashtme një marrëdhënie të tensionuar me Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë. Presidenti amerikan nuk mund t'ja lejojë vetes luksin të përqëndrohet vetëm në një vatër konflikti.