Topalli: PS do e marrë mandatin kur të shprehet Kushtetuesja. Rama të mësohet me shtetin ligjor
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar pas qëndrimit të kryetarit të opozitës, Edi Rama, se mazhoranca po u bllokon qëllimisht një mandat deputeti. Topalli është shprehur se mandati i përket PS, por do e marrë atë kur të shprehet Kushtetuesja.
Akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë. Në mbledhjen e djeshme anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ, duke shprehur disa mendime. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruci ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jokushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese, thuhet në një njoftim të Kuvendit.
Më tej theksohet se Rama duhet të mësohet me shtetin ligjor. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore. Duke qene se anëtarë të ndryshëm të të dy forcave politike kishin mendime të ndryshme, Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të konsultohen dhe të kontribuojnë me vullnet të mirë dhe me maturi në gjetjen e modaliteteve ligjore për rastin në fjalë. Nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës, theksohet në njoftim.