Me plumb bythëve
facebook.com/bledi.mane
E keni parë çdo natë si është kthyer studioja e opinionit të Blendit të Klanit të Sandrit të Berishës së pushtetit?
Si arenë gladiatorësh, tigrash, ulkonjash, çakenjsh.
Mbaj mend kur isha i burgosur te 313 dhe ndodhte që 101-shat (të dënuarit me burgim të përjetshëm) ziheshin me tyre, rrallë herë dëgjoje kërcënime kaq halabake dhe të pështira si në studion blu të pushteteve.
Jozefina desh i shkrepi Gramoz Ruçit kallashin në 2005 tek i kujtonte neglizhencën e Berishës ndaj ish komunistëve.
-E meritonit një plumb ballit në 1997 kur përmbysët me revolucionin tuaj bolshevik qeverisjen tonë. Të isha unë në vend të Berishës do ua rasja një plumb ballit-klithte histerikja me mustaqe.
Mesila Doda i bëri gati lakun prej litari kolegut të saj opozitar Tahiri në të njëjtën studio televizive dhe klithte porsi një jozefinë bjonde live në sy të mijëra bashkëkombasve:
-Do të të var te palma po iu afrove kryeministrisë!
Pardje në të njëjtën studio, me të njëjtin moderator një tjetër (jo grua) eksponent i kahut të djathtë me emrin Murat Basha kërcënonte shëmtuar live sërish në pikun e audiencës porsi një mesilë e jozefinosur:
-Do ia fusja plumbin ballit djalit tim nëse do të ishte homoseksual!
Si një shoqëri violente dhe tranzitive që jemi, jemi munduar dikur që në mënyrë hipokrite të ruajmë disi profil të ulët të kafshërisë sonë.
Edhe gjatë monizmit megjithëse sistemi të kripte në hu e të nxinte lëkurën, asnjëherë publikisht apo mediatikisht dhuna nuk transmetohej kaq hapur sa tani. Vitet e gjata të tranzicionit nuk e kamufluan apo rafinuan shqisën tonë të ushtrimit të dhunës por e nxorën më në sipërfaqe dhe ende e përdorim si armën më të mirë në mbrojtje të “tokës së xanun, tenderit të vjedhur, kutive të rimbushura të votave, mbajtjes me forcë të pushtetit”…
Nuk e kemi problem në jemi me apo pa imunitet, në jemi model për tu ndjekur apo paguhemi me paratë e taksapaguesve, në jemi te kafeneja e lagjes apo në studio televizive e parlament, thjesht kërcënojmë rëndshëm. Madje as kërcënimet nuk janë të tipit “me këpucë a shapkë kokës”, me shpullë apo ujë fytyrës” por thjesht kërcënime të rënda me zhdukje fizike, vdekje, marrje jete.
Natyrisht të gjithë jemi pjesë e kulturës së dhunës e nëse nuk e kemi hasur në shtëpitë tona do kemi rastisur në rrugë, lagje,stadium, vend pune. Të tregohesh më i matur e më tolerant nuk do të thotë se nervi apo damari i mufatur nga nxehtësia e lundrimit të shpejtë të gjakut dalin jashtë funksionit dhe amperi i burrërisë shkon drejt minusit. Aftësia jonë më e mirë do të ishte menaxhimi racional që mund ti bëjmë gjaknxehtësisë spontane mesdhetaro-ballkanase dhe kësisoj nuk do të rrëmbenim armët qysh me të parë.
Nëse unë do të isha një gjaknxehtë radikal porsi Murat legalisti do të sakrifikoja aq shumë sa duke mos tjetërsuar karakterin dhe egon time do të ngrija vërtetë pushkë por me kujdes. Nuk do të duroja dhe falja më asnjë, askënd. As majtas as djathtas nuk do të pyesja, por thjesht me një revolver TT do të merrja në shenjë e do të qëlloja. Do hakmerresha ndaj Arben Ristanit për tjetërsimin e votave të qytetarëve, do hakmerresha ndaj Ndrea Prendit se vrau të pafajshmit, ndaj Gjin Gjonit se me kolegët e tij gjyqtarë ka bakalarosur drejtësinë e vendit tim, Ilir Metës që infektoi e korruptoi rini e katandi në gen e nën lëkurë, Berishës që ka mbetur ende e vetmja kufomë e klasës politike bolshevike të peninsulës… Po, po e them me zë të lartë. Do hakmerresha e do qëlloja me plumb bythëve të gjithë të lartpërmendurit jo për ti vrarë, por thjesht ti diskretitoja e ti lija me shenjë. Sa herë të uleshin a shtriheshin diku të ndjenin dhimbjet e dhimbjeve që i shkaktojnë çdo sekondë këtij mileti,këtij vendi,kësaj natyre.
Po të isha si Murat monarkisti me plumb bythëve do u qëlloja këtyre paçavureve e jo të vrisja me plumb djalin pse bythën e tij e përdor për qejf e për sevda brenda të gjitha normave e konventave ndërkombëtare.
Po ti Eugen Wolfart i OSBE-së po më ndjek?
