Nën hetim për korrupsion zyrtari italian, e implikuar edhe zëvendësministrja shqiptare Nora Malaj
Një zyrtar italian përdor postin e tij për të favorizuar kompaninë e gruas me të cilën bashkëjeton. Hetuesit sekuestrojnë një letër që ai i ka dërguar zëvendësministres shqiptare të Arsimit, Nora Malaj, për një projekt me kompaninë e gruas me të cilën bashkëjetonte
Një zyrtar lokal në Itali është nën hetim dhe ndaj tij do ngrihet akuza për korrupsion. Shkak është bërë fakti se ka favorizuar kompaninë e gruas me të cilën bashkëjetonte. Po, në Itali paguan edhe për personin me të cilin bashkëjeton, nuk ndodh si me Albana Vokshin. Por ajo që është më interesante është se në këtë skandal korrupsioni është përfshirë edhe zëvendësministrja shqiptare e Arsimit, Nora Malaj, e vendosur në atë detyrë nga LSI. Detajet e skandalit i ka publikuar e përditshmja La Reppublica.
Po si qëndron historia?
Alfredo Castiglione, zëvendëspresident i Këshillit Rajonal të Abruzzo-s, i ka dërguar një letër zëvendësministres Nora Malaj, pas një takimi që ka pasur me të më 14 janar 2011. Castiglione i thotë se mes dy vendeve duhet forcuar më shumë bashkëpunimi dhe shkëmbimet kulturore. Castiglione shton se diçka e tillë ka rëndësi ekonomike për dy vendet. Pasi flet për këtë shkëmbim kulturor, Castiglione i kërkon Malajt që akademia e kërcimit në Shqipëri të nisë një bashkëpunim afatgjatë me kompaninë e kërcimit Rassjanka me qendër në Peskara. Rassjanka është në pronësi të Marina Kozina, me të cilën bashkëjeton Castiglione, një zyrtar i partisë së Berluskonit.
Skandali qëndron se letra është shkruar në emër të Këshillit Rajonal dhe mban logon e tij.
Letra është sekuestruar nga hetuesit, shkruan La Repubblica, dhe ndaj Castigliones do ngrihet akuza. Ndërkohë gruaja me të cilën bashkëjeton zyrtari rajonal sipas verifikimeve ka marrë rreth 20 mijë euro nga fondet publike. Vetë Castiglione ka thënë se nuk ka përdorur kurrë postin për të favorizuar kompaninë Rassjanka.

Alfredo Castiglione dhe Marina Kozina

Letra e derguar per Nora Malajn