Edi Rama: Berisha po na kopjon programin. PS do propozojë dy nisma për zhvillimin rural
Opozita propozon edhe një nismë për miratimin e fondeve që shteti shqiptar do të japë në ndihmë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkollë në Komunën e Preshevës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se qeveria po u kopjon programin pasi ka paraqitur në Kuvend një nisëm për bashkimin e fermerëve në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. Smund të mos na vijë mirë po ashtu që qeveria, më në fund, pas 7 vitesh në rrugën qorre të braktisjes së fshatit, ka kopjuar nga projekti ynë Për një Rilindje Shqiptare një element të rëndësishëm të vizionit për zhvillimin rural dhe ka sjellë në Kuvend një nisëm për nxitjen e bashkimit të fermerëve në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. Është një nisëm e dobët nga mënyra se si është konceptuar, është ende larg standardeve të kërkuara prej Bashkimit Europian për të incentivuar prodhimin bujqësor, por është sidoqoftë një hap shumë i vogël në drejtimin e duhur. Në këndvështrimin tonë zor se do të zgjidhë realisht problemin e madh që synon të trajtojë, por gjithsesi bashkohem me mendimin e komisionit përkatës edhe të grupit tonë të punës për programin Për Zhvillimin Rural për ta votuar atë pro në parim, tha Rama.
Kreu i PS tha se do propozojë dy nisma me rëndësi për zhvillimin rural, për uljen e TVSH për inputet bujqësore dhe uljen e akcizës së naftës. Teksa qeveria propozon projektligjin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilin siç e thashë nuk e kundërshtojmë në parim, ne do të kërkojmë me ngulm miratimin e dy nismave të tjera me rëndësi emergjente për fshatin:
Propozimin për uljen e TVSH-së së inputeve bujqësore dhe propozimin për uljen e akcizës së naftës. Të dyja këto nisma janë gati dhe meritojnë të gjithë këmbënguljen dhe pasionin politik të grupit socialist për ti çuar përpara në komunikimin me publikun dhe në debatin e brendshëm parlamentar. Çmimi i naftës që përdoret sot në zonat rurale është trefishuar në raport me 7 vjet më parë. Ndërkohë, çmimi i naftës në bujqësi është sot 4 herë e gjysmë më i lartë se sa premtimi i kryeministrit për fermerët. Pra, qeveria jo vetëm nuk e ka mbajtur premtimin për të ulur çmimin e naftës në bujqësi, por përkundrazi ka lejuar shtrenjtimin e naftës duke e trefishuar çmimin krahasuar me 7 vjet më parë. Për çdo 1 litër naftë që përdoret sot në bujqësi, fermerët paguajnë edhe 77 lekë të reja taksa. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por si çdo detyrim fiskal i padrejtë në këtë vend është mbytëse për familjen fermere dhe shkatërruese për perspektivën e prodhimit bujqësor. E njëjta situatë paraqitet edhe me inputet bujqësore. Ureja, nitrati apo superfosfati, të domosdoshme për zhvillimin bujqësor, janë shtrenjtuar mesatarisht 75%. Ky shtrenjtim, sëbashku me rritjen e çmimit të naftës, e kanë bërë praktikisht të papërballueshme situatën e fermerëve shqiptarë që sot të gjithë e dinë janë në kushte mbijetese jo jetese. Pikërisht prandaj, Grupi Parlamentar Socialist i propozon Parlamentit TVSH 0 për plehrat kimike, TVSH 0 për makineritë bujqësore dhe uljen e TVSH në 10% për farërat që përdoren në bujqësi, tha Rama.
Kreu i PS deklaroi po ashtu se është dorëzuar një nismë për miratimin e fondeve që shteti shqiptar do të japë në ndihmë për ndërtimin e një materniteti dhe një shkollë në Komunën e Preshevës. Për ne ky është një gjest solidariteti i mbështetur në bindjen se kur është fjala për tu ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptarësh që banojnë jashtë territorit të atdheut, jemi të gjithë bashkë të interesuar e të motivuar të bëjmë më të mirën në Kuvendin e Shqipërisë pa asnjë dallim mes opozitës e qeverisë. Lejomëni të shpreh bindjen se njësoj si ne edhe qeveria dëshiron të bëjë gjithçka mundet në këtë drejtim e bashkërisht do ti hapim rrugë me konsensus këtij projekti, tha Rama.