E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Panairi i “lik Ekspo Group 2010” organizim i shkëlqyer

Kryeparlamentarja Topalli vizitoi edicionin e XVII të Panairit

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli vizitoi edicionin e XVII të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” në Pallatin e Kongreseve. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u prit nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj, drejtoresha Ekzekutive e shoqërisë “Klik Ekspo Group”, Elona Agolli, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në Panair, si dhe nga një përfaqësi e përzgjedhur sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj.

Vizita në Panair
Zonja Topalli i uroi organizatorët e këtij panairi për organizimin e shkëlqyer, si dhe pjesëmarrësve që kishin dalë për ta pritur, u përcolli përshëndetjet më të përzemërta. Kryeparlamentarja e cilësoi panairin si një shprehje reale e arritjeve ekonomike të biznesit shqiptar, atij rajonal dhe evropian, duke nënvizuar faktin se vlerëson pjesëmarrjen e madhe të shumë kompanive nga vende të ndryshme të rajonit, BE e më gjerë, me produkte ndër më cilësoret. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi takime të përzemërta, veçanërisht me gratë sipërmarrëse, të cilat i japin Panairit Ndërkombëtar të Tiranës dhe ekonomisë shqiptare një fizionomi e pamje të re.
Një takim të veçantë, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi me sipërmarrësit kosovarë në Pavionin e tyre. Shteti i Kosovës, organizohet nga Dhoma Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) me projektin për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit në Kosovë. Industritë e përfaqësuara nga shteti i Kosovës paraqiten fuqishëm në prodhimin, ndërtimin dhe shpërndarjen e produkteve metalike për ndërtim, siguri, mbrojtje dhe zbavitje. Prezantohen një gamë e gjerë e prodhimeve të aluminit dhe metaleve të tjera, të gjitha “Made in Kosova”.
Në përfundim të vizitës, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i uroi organizatorët për kontributin e shquar në promovimin, evidentimin e vlerave të biznesit gjatë diplomacisë ekonomike, si dhe për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme për sipërmarrjet shqiptare.
Anëtarësimi
Panairi i këtij viti për shoqërinë “Klik Ekpo Group” është i pari si anëtar zyrtar i U.F.I., Unionit Botëror të Panaireve. Edicioni i 17-të i Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar, përmes Pavioneve të Shteteve, risjell pjesëmarrjet e organizuara shtetërore të sipërmarrësve nga Evropa Qendrore e Juglindore, Ballkani Perëndimor e deri Azia. Përfaqësohen denjësisht sipërmarrës nga: Belgjika, Polonia, Kroacia, Serbia, Greqia, Italia, Austria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Turqia, Bullgaria, Irani e të tjera shtete përherë të orientuara drejt bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Shqipërinë.

Suinen, Berishës: Do të justifikojmë të qenit mysafir nderi

Kryeministri Berisha pret Philippe Suinen, administrator i përgjithshëm i Agjencisë së Valonias për Investimet e Huaja

Kryeministri Berisha priti zotin Philippe Suinen, administratorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Valonias (Wallonia) për Investimet e Huaja, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga “Klik Ekspo Group”. Delegacioni i kryesuar nga zoti Philippe Suinen shoqërohej nga ambasadori i Belgjikës për Shqipërinë, rezident në Sofie (Bullgari), zotin Marc Michielsen.
Ambasadori belg e përgëzoi Kryeministrin për arritjen historike, liberalizimin e vizave, pasojë e reformave të gjithanshme të ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Ambasadori Michielsen shprehu mbështetjen e qeverisë dhe vendit të tij, i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, për bashkëpunimin e frytshëm e të gjithanshëm me qeverinë shqiptare, në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe BE-së.
Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë e Belgjikës për kontributin e dhënë për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Kryeministri e garantoi ambasadorin Michielsen se qeveria e tij, krahas punës parandaluese, do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeveritë e vendeve europiane për të shmangur çdo lloj abuzimi me këtë proces dhe justifikuar besimin e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pas rënies së perdes së hekurt, liberalizimi i vizave, - tha Kryeministri - është arritje e madhe për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, në takim u vlerësua se marrëdhëniet shumë të mira me Belgjikën në fushën politike dhe diplomatike janë shoqëruar edhe me forcimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare. Ambasadori Michielsen u shpreh se pjesëmarrja jonë, si të ftuar nderi, në panairin “Klik Ekspo Klik”, duke përfaqësuar 11 kompani belge është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Vendi im, - tha ambasadori Michielsen - ju garanton edhe një herë mbështetjen në vazhdim për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Titullin si mysafir nderi në këtë panair, ku ne marrim pjesë që në vitin 2006, ju premtojmë se do ta justifikojmë nëpërmjet shtimit të fluksit të investimeve belge në Shqipëri. Në qoftë se ju duhen histori suksesi nga investitorët e huaj në Shqipëri, - vijoi ambasadori Michielsen -shtojini atyre dhe dy raste suksesi të bashkëpunimit të kompanive belge me ato shqiptare, në fushën e farmaceutikës. Ndërsa Zoti Philippe Suinen, pasi e përgëzoi Kryeministrin për arritjet e qeverisë së tij, i prezantoi dy fushat bazë, ku qeveria dhe kompanitë belge kanë paraqitur projekte, për të filluar bashkëpunimin, fusha e shëndetësisë dhe ajo e përpunimit të mbetjeve. Partnerët e kompanive dhe qeverisë belge në këto dy projekte janë Ministria e Transportit, Ministria e Financave dhe BERZH. Zoti Suinen informoi se ka përfunduar studimi i fizibilitetit për përpunimin mbetjeve urbane dhe do të kalohet në fazën e dytë. Gjithashtu, pastrimi i ujërave të ndotura të Elbasanit është një tjetër fushë me projekte në zhvillim. Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi për bashkëpunimin e ofruar në këto fusha, i siguroi se ato përbënin prioritete të strategjisë ekonomike të qeverisë së tij. Kryeministri garantoi mbështetjen dhe bashkëpunimin pa rezerva për suksesin e tyre.
Kryeministri Berisha ftoi investitorët belgë që, krahas fushave të mësipërme, të shtrinin aktivitetin e tyre edhe në fusha të tjera me potencial të madh si energjia, mineralet, turizmi, bujqësia, mjedisi etj.. Ambicia jonë, - tha Kryeministri - për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të prodhimit dhe eksportit të energjisë përbën një potencial të madh për bizneset belge që, në partnership me ato shqiptare, të mund të përdorin gjeografikisht Shqipërinë për t’u shtrirë në tregun e rajonit dhe atë europian.
Zoti Suinen dhe ambasadori Michielsen i propozuan Kryeministrit bashkëpunimin për të aktivizuar diasporën shqiptare, e cila ka një reputacion të mirë në Belgjikë, në projekte biznesi të përbashkët belgo-shqiptare, e shoqëruar kjo me promovimin e imazhit të Shqipërisë në të gjitha aspektet, duke theksuar potencialin e madh turistik të vendit.
Kryeministri Berisha i falënderoi dhe garantoi bashkëpunimin konkret të qeverisë së tij, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin rasteve të historive të suksesit, për bizneset belge në Shqipëri.

30 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›