E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Jo lakuriqësisë së majtë apo të djathtë

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i kërkoi publikisht deputetit të PD-së, Ylli Pango, që të mos shkelë më në Parlament. “Unë do të ftoja kolegun e deridjeshëm në këtë Parlament, zotin Pango, që të heqë dorë nga mandati i deputetit, në mënyrë që ky Parlament të mbrojë integritetin e vet, të mbrojë integritetin e përfaqësuesve që e kanë votuar dhe që do të votojnë përsëri për një parlament të ri në 28 qershor”, deklaroi Meta. Lideri i LSI-së u bëri thirrje deputetëve që të distancohen nga ky akt. “Ndaj, edhe një herë i kërkoj zotit Pango që të mos vijë më në sallën e Parlamentit dhe i kërkoj shqiptarëve të mos sjellin asnjë lakuriq në 28 qershor këtu në sallën e Parlamentit, sepse u bënë 20 vjet tranzicion, 20 vjet demokraci. Po na shisni perversitetet si modernitete në këtë vend. Po na bëni t’i mbajmë fëmijët larg televizioneve, larg gazetave. Një turp i madh. U bëj thirrje të gjithë politikanëve të distancohen nga çdo lloj lakuriqësie të majtë apo të djathtë, sepse ne jemi shqiptarë, sepse ne kemi tradita kombëtare. Çdo njeri është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, por jo në politikë dhe në jetën publike”, deklaroi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›