E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu jep për Rizën “Medaljen e Artë të Lirisë”



“Medalja e Artë e Lirisë” është dekorata me të cilën Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, të mërkurën në mbrëmje, në një akademi solemne në Pallatin e Rinisë, ka nderuar figurën e shquar, profesor Selman Rizën. Medalja i është dorëzuar Emin Rizës, të birit të dijetarit. Kjo dekoratë vjen në 100-vjetorin e lindjes së Selman Rizës, përvjetor ky që po shënohet me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, nën patronatin e Presidentit Sejdiu. Njëra prej ngjarjeve kryesore, sot, do të jetë edhe rivarrosja e Selman Rizës në Gjakovë, në qytetin e lindjes së tij. “Nga nesër të gjithë do të ndjehemi më të përgjegjshëm se u krye amaneti i Profesorit të Nderuar, që e la për të gjallë - të prehet përgjithmonë në vendlindjen e tij, në Gjakovë, në Kosovë, të cilën u detyrua ta braktisë që fëmijë dhe ta mbajë peng sa të jetë gjallë”, - ka thënë të mërkurën Sejdiu, teksa ka premtuar se tash e tutje Riza do të ketë vlerësimin dhe kujdesin e merituar të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Ky 100-vjetor i lindjes së prof. Selman Rizës, na jep detyrim veçmas neve që kemi përgjegjësinë publike dhe politike, për të punuar në krijimin e kushteve shumë më të mira për hulumtime shkencore, për të vënë në vend meritor synimet, projektet, rezultatet dhe kontributin e personaliteteve tona të shquara intelektuale e kulturore”, - ka thënë Presidenti Sejdiu. Akademik Besim Bokshi, kryetar i ASHAK-së, ka thënë se Kosova po shpreh “respektin ndaj birit të saj të rrallë që na nxitë krenari”.

“Profili shkencor i Selman Rizës është i veçantë për thellësinë dhe trajtimin e temave”, - ka thënë ai. Muzafer Korkuti, nënkryetar i ASHA-së së Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar figurën e prof. Selman Rizës, duke e cilësuar si një nga figurat më të shquara të popullit shqiptar. Të mërkurën qindra qytetarë të Gjakovës dhe viseve të tjera të Kosovës kanë bërë homazhe para mbetjeve mortore të albanologut të shquar, Selman Riza. Ato janë sjellë një ditë më parë nga Tirana për të pushuar përjetësisht në vendlindjen e tij. Eshtrat e Rizës për disa orë kanë qëndruar në doajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, ku personalitete të njohura, qytetarë e miq janë përulur para tyre në shenjë nderimi dhe respekti për personalitetin dhe veprimtarinë e tij.

“Ekspress”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›