E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Parlamenti axhendë reformash edhe pse Rama e bllokoi

TIRANË- "Axhenda e parlamentit ka qenë një axhendë reformash, pavarësisht nga disa momente të vështira, të padëshiruara, të një situate që përpiqej të dëmtonte parlamentin në mënyrë artificiale, të dëmtonte parlamentarizmin, kur kreu i opozitës tentonte të bllokonte punën e parlamentit. Tentonte dhe në fakt ka bllokuar miratimin disa ligjeve", u shpreh sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një intervistë televizive.

"Kuvendi është vendi i përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve, institucioni themelor i një republike parlamentare si Shqipëria. Në Kuvend maxhoranca dhe opozita, si dy grupet kryesore politike, natyrisht me idetë e tyre të ndryshme, duhet të jenë të bashkuara për miratimin e reformave", tha Topalli, duke shtuar se këto reforma janë të rëndësishme për integrimin evropian.

"Integrimi është një objektiv kombëtar, është shprehje e një ëndrre të 96% të shqiptarëve. 100 % e shqiptarëve janë të përfaqësuar në parlament. Nëse dikush urdhëron deputetët të mos votojnë kjo është antiparlamentarizëm", u shpreh Topalli.

Topalli nënvizoi se vërtetë opozita për dy vite ka bojkotuar votimin e ligjeve me 3/5, por gjithsesi puna e Kuvendit nuk ka pushuar kurrë këto dy vjet. Në lidhje me marrëdhëniet institucionale mes Presidencës dhe Kuvendit, Topalli u shpreh se Presidenti Topi ka refuzuar bashkëpunimin mes institucioneve që është një detyrim kushtetues.

Në lidhje me një kandidim të saj për postin e Presidentit të Republikës, Topalli u shpreh se "në bazë të Kushtetutës Presidenti ka mandat 5-vjeçar dhe do e respektoj Presidentin Topi deri në fund të mandatit të tij'. Nëse Presidenti Topi do të krijojë një parti tjetër, sipas Topallit, kjo nuk do ta dëmtojë maxhorancën në zgjedhje.

Në lidhje me një kandidim të mundshëm të ish-kreut socialist, Fatos Nano, për President, Topalli u shpreh se "çdo njeri ka të drejtën për të thënë që dëshiroj të kandidoj", duke shtuar se nuk do ta mbështesë këtë kandidim.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›