E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Politika lehtësuese për biznesin

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar sot se Shqipëria do të vijojë me politikat lehtësuese ndaj biznesit dhe thellim të partnershipit mes tij dhe legjislativit si një kusht themelor për zhvillimin e vendit.

Duke folur në forumin e dytë të biznesit të Detit të Zi që po zhvillon punimet në Tiranë, kryeparlamentarja Topalli është ndaluar edhe në masat efikase të ndërmarra nga qeveria, që bënë të mundur shmangien e krizës, në një kohë, kur sipas saj vendi rrethohet nga kriza.
 

“Ne jemi vend i vogël, por me ambicie të madhe, kemi humbur shumë kohë, por shqiptarët janë popull me energji të madhe dhe të jashtëzakonshëm. Dy janë shtyllat kryesore në të cilat u angazhuam, ulja e dy mureve, ulja e barrës burokratike dhe barra fiskale”- theksoi ajo.
 

Topalli shtoi gjithashtu se vetëm gjatë viteve të fundit është hequr 2/3 e licencave dhe lejeve dhe pjesa e mbetur është vendosur në one stop shop. Sipas saj Shqipëria ka aplikuar një model ekonomik përpara se të niste kriza, që ka rezultuar e suksesshme duke patur parasysh uljen e taksave, lirinë fiskale, administratën e vogël dhe investimet në infrastrukturë.


Forumi i dytë i biznesit të Detit të Zi  i cili do të zhvillojë punimet treditore në Tiranë, do të ketë në fokus temat kryesore si “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të BSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›