Reforma zgjedhore, mblidhen partitë e vogla
Partitë e vogla opozitare dhe të mazhorancës janë mbledhur sot në një tryezë ku pritet të dalin me një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore.
Krerët e dhjetë partive politike do t`i kërkojnë dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që pritet të nisë nga puna këtë javë.
Në fjalën e tij kreu i PDS-së Paskal Milo ka theksuar se kjo tyrezë nuk ka ndonjë prapavijë tjetër përveçse shqetësimit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Ndërsa në fjalën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta Meta se partia që ai përfaqëson është e hapur për një sistem zgjedhor transparent që garanton lirinë e votës. Sipas tij kjo duhet të jetë një reformë e cila duhet të ketë në themel barazinë e votës ndërsa shtoi se LSI-ja është kundër listave të mbyllura pasi dëmtojnë parlamentarizmin .
"Nuk ka përse vota e një kryatari në një qark të ketë më shumë rëndësi se vota e një kryetari në qark tjetër të vendit” theksoi Meta ndërsa shtoi se më e rëndësishmja në këtë reform është forcimi i besimit të qytetarit tek vota e tij.
Nga ana e tij kreu i PR-së Fatmir Mediu theksoi se partitë e vogla përbëjnë 20% të elektoratit dhe të gjitha duhet të kenë mundësinë për të monitoruar procesin e zgjedhjeve.
Ndërsa kreu i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se ndryshimet në reformën zgjedhore do të bëjnë të mundur prishjen e polarizimit artificial që është krijuar.
Të gjitha partitë politikë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike.