E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama të njohë rezultatin

10/05/2011  PS-PD, pingpong deklaratash në kundërvënie të njëra-tjetrës

Selia rozë përmes deputetes Kodheli lëshoi akuza për kundërshtarin politik

Pingpongu i deklaratave politike mes përfaqësuesve të dy kampeve politike kishte në thelb shpalljen e fitores së zgjedhjeve të 8 majit. Ndërkohë më në pararojë për të ngritur flamurin e fitores ishte Partia Socialiste, e cila në orët e vona të darkës së mbrëmshme u shfaq pothuajse në festë për një rezultat pozitiv në këtë garë elektorale. Gjithashtu në shfaqjet e saj publike selia rozë lëshoi një sërë akuzash për kundërshtaren e saj. Kështu, në replikat e zhvilluara nga selitë përkatëse PS-ja e PD-ja radhitën një sërë pakënaqësish mes njëra-tjetrës. Por ndryshe nga PS-ja PD-ja i mëshoi me forcë kërkesës për kundërshtaren e saj që të respektojë vullnetin e sovranit, duke respektuar rezultatin dhe jo të bëhet pengesë për zbardhjen e tij.

Partia Demokratike

Kryetarja e Parlamentit, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, i bëri thirrje lidershipi socialist të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. “Ftoj Ramën të deklarohet se do të njohë rezultatin në çdo bashki e komunë. Kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha, - vuri në dukje Topalli. - Jemi të vendosur të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga KZAZ-të qeverisjes vendore dhe certifikimin e KQZ-së”, - u shpreh Topalli. Nga ana e tij deputeti i PD-së Aldo Bumçi bëri të ditur se “Aleanca për Qytetarin” ka fituar mbi 50% në rang vendi si dhe e konsideroi Tiranën të fituar nga kandidati i PD-së Lulzim Basha. “Në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi në Tiranë kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka rritur të përmbysë rezultatin duke i fituar ato. Kjo çon në pritshmërinë se kjo prirje pozitive do të vazhdojë dhe jemi optimistë për rezultatin përfundimtar”, - nënvizoi Bumçi. Ndërkohë deputeti demokrat u kërkoi numëruesve që “të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre më përkushtim dhe respekt në përputhje të plotë me ligjin, duke garantuar kështu numërimin e saktë të çdo vote të hedhur nga qytetarët e Tiranës”.

Partia Socialiste

Një frymë krejt ndryshe përcillej nga selia rozë, e cila përmes deklaratave të shpeshta për shtyp akuzonte kampin blu për bllokim të procesit të numërimit të votave, si dhe i mëshonte me forcë faktit se tashmë Rama ka fituar mandatin e tij të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës. “Zotëri! Ke humbur zgjedhjet, ke humbur edhe standardet. Tani është koha të ndalësh zvarritjen e padenjë të procesit të numërimit në Tiranë, ku njerëzit tanë kanë pritur gjithë natën për të kryer detyrën ndaj qytetarëve e ligjit duke numëruar pa humbur kohë çdo votë, kurse njerëzit e asaj që u quajt ‘Aleanca për Qytetarin’ kanë braktisur rëndom detyrën e tyre. Zgjedhësit meritojnë ta dinë shpejt e saktë rezultatin e votës së tyre. Kjo zvarritje e qëllimshme është fyese për ta dhe e padenjë për vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar”, - theksoi Kodheli në një nga deklaratat e saj për shtyp.

Akuza KQZ-së

PS: Zvarritje të numërimit, deri në largimin e vëzhguesve të huaj

Partia Socialiste akuzoi dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me publikimin e rezultateve paraprake. Sipas deputetes socialiste Mimi Kodheli, KQZ-ja publikoi rezultate të deformuara. “Këto rezultate jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj transparence, dhe jo vetëm që janë selektive dhe të vjetëruara, por synojnë të favorizojnë kandidatin humbës për Bashkinë e Tiranës”, - theksoi Kodheli. Por nga ana tjetër, përfaqësuesja e PS-së ngriti dhe një tjetër akuzë për kundërshtarin politik. Në vlerësimin e PS-së qëllimi i mazhorancës qeverisëse është që të bllokojë procesin e numërimit deri në largimin e vëzhguesve afatshkurtër të misionit të OSBE-ODHIR-it. “Ne i bëjmë thirrje Berishës që të heqë dorë nga kjo përpjekje, sepse e ka të kotë. Edi Rama dhe Partia Socialiste e kanë fituar bindshëm Bashkinë e Tiranës, ashtu siç kanë fituar në pjesën dërrmuese të Shqipërisë. Sado të përpiqen, votat që shënojnë disfatën e tyre në Tiranë janë dhe do të mbeten në kuti dhe herët a vonë do të numurohen. Çdo përpjekje për t’i prekur ato vota është e kotë”, - vuri në dukje Kodheli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›