E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Reforma zgjedhore, materializim i rekomandimeve të OSBE/ODIHR

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli siguroi se reforma zgjedhore do të jetë materializim i 53 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të miratohet përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë një takimi me ekspertët e OSBE/ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët ndodhen në Tiranë për të dhënë asistencë për reformën zgjedhore, zonja Topalli nënvizoi se “53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma jonë zgjedhore”.

Duke falenderuar përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin dhe mbështetjen dhënë Shqipërisë për reformën elektorale, kryetarja e Kuvendit vlerësoi përfundimet e raportit të ODIHR-it, që i cilësoi zgjedhjet e fundit “kompetitive dhe transparente”.

Sipas Topallit, “opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake.”

Ekspertët e ODIHR-it theksuan gatishmërinë e tyre për të asistuar në reformën zgjedhore, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›