Baza Ajrore e Kuçovës mbush 55 vjeç të krijimit të saj
KUçOVE - Baza Ajrore e Kuçovës ka festuar 55-vjetorin e ngritjes së saj. Kjo bazë ka filluar aktivitetin e saj ushtarak në vitin 1955, pas 3 vjet punimesh, duke qenë një prej bazave më të mëdha në shkallë vendi. Ajo ka mbajtur në pistën e saj rreth 200 avionë të markave të ndryshme. Pilotët e parë të saposhkolluar në ish-Bashkimin Sovjetik kanë mbërritur menjëherë në bazën ajrore të Kuçovës, ku janë angazhuar. Me rastin e përvjetorit të krijimit të Bazës Ajrore të Kuçovës është organizuar një ceremoni, ku ka marrë pjesë komandanti i Forcave Ajrore, Dhori Spirollari, drejtues të pushtetit vendorë, si dhe ish-komandantë, pilotë dhe veteranët e bazës ajrore. Flamur Hoxha, komandanti i kësaj baze ka folur për të pranishmit për arritjen e efektivit të Bazës së Kuçovës, e cila tashmë është në fazën e modernizimit të saj.
Aerodromi i Bazës Ajrore të Kuçovës është ndërtuar pranë ish-aerodromit të vjetër, i ndërtuar nga ushtria italiane në vitet 1930 për uljen e avionëve ushtarakë të këtij shteti. Pas çlirimit u pa si nevojë e domosdoshme ndërtimi i një aerodromi ushtarak dhe specialistët kanë zgjedhur pikërisht vendin ku ndodhet aktualisht. Në vitin 1952 nisën punimet, për të përfunduar pas 3 vitesh. Paralelisht me zgjatjen e punimeve, qeveria e asaj kohe dërgoi në ish-Bashkimin Sovjetik shumë të rinj për të kryer studimet në shkollën e aviacionit e për t'u përgatitur si pilotë të ardhshëm. Në vitin 1955 kanë mbërritur dhe avionët e parë nga ish-Bashkimi Sovjetik e më pas aty do të uleshin dhjetëra të tjerë. Veteranët e kësaj baze kujtojnë se këtu janë instaluar avionë të tipeve të ndryshëm, si: Mig 15, Mig 17, Mig 19, Mig 21 si dhe avionët tip Jak, të cilët më pas u transferuan për në Vlorë. Baza ajrore e Kuçovës ka pasur pilotët më të përgatitur, si Niko Hoxha, Babaçja, Fari Bubësi, Arilla Repa, Agim Balili, Vasil Andoni, Agim Matraku, etj. Shumë pilotë dhe ish-pilotë kanë treguar në ceremoninë e djeshme historitë e tyre në këtë bazë. Për mirëmbajtjen e këtyre avionëve duhej dhe shërbimi teknik, çka solli në vitin 1968 ndërtimin e uzinës së Riparimit të Avionëve, e cila funksionin ende sot, edhe pse e reduktuar në sektorë dhe punonjës. Pas futjes së Shqipërisë në NATO, baza ajrore e Kuçovës u bë pjesë e projekteve të përbashkëta me vendet e Atlantikut Verior. Qeveria turke ka marrë përsipër rikonstruksionin e saj, duke e shndërruar në një bazë moderne, për të pritur çdo lloj tipi avionësh. dxh