E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Të gatshëm për të votuar vendet bosh në KQZ, PS të sjellë emrat

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua të premten me z.Roberto Battelli, Koordinator Special dhe kryesues i misionit te vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, i caktuar nga kryetari i OSBE-së, dhe drejtuesin e zyrës së Asamblesë Parlamentare(AP) në Vjenë, ambasadorin Andreas Nothelle.

Duke shprehur mirënjohjen për angazhimin e AP-së të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ajo theksoi vendosmërinë dhe angazhimin maksimal për një proces zgjedhor të lirë e transparent, të standardeve më të larta ndërkombëtare, për të bërë të mundur që këto të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

"Kemi miratuar me konsensus kuadrin zgjedhor, duke reflektuar në të të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, bazuar mbi propozimet e opozitës", tha Topalli.

Në lidhje me çështjen e KQZ-së, ajo shprehu gatishmërinë për të mbledhur parlamentin në çdo moment për të votuar tre emrat për vendet e lëna bosh nga Partia Socialiste dhe opozita.

Në takim u vlerësua rritja e numrit të qendrave të votimit dhe e qendrave të numërimit, të cilat do të bëjnë të mundur që rezultatet e votimit të shpallen në kohën më të shkurtër të mundshme.

Z. Batelli shprehu mirënjohje për ftesën e kryetares së Kuvendit që në Shqipëri të vijë një numër sa më i madh vëzhguesish zgjedhorë, jo vetëm nga Asambleja e OSBE-së, por dhe nga Asamble të tjera parlamentare të KiE-së, Parlamenti Europian, etj.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›