E Diel, 1 Nëntor 2026

Brace: Topalli vizitë turistike në Zvicër, Kuvendi mbyll dyert

Brace: Topalli po shpërdoron paratë e buxhetit të shtetit

TIRANË- Partia Socialiste ka akuzuar kryeparlamentaren Jozefina Topalli se për të disatën herë me radhë me anë të vizitave të saja jashtë vendit është bërë shkak për bllokimin e punës së Kuvendit në seancë plenare. Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, duke marrë shkas pikërisht nga pezullimi i punimeve të Kuvendit në seancë plenare, ka evidentuar faktin shqetësues se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me udhëtimet e saj jashtë shtetit jo vetëm po shpërdoron paratë e buxhetit të shtetit, por njëkohësisht po pengon dhe institucionin ligjvënës që të kryejë veprimtarinë e tij. “Sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duke shpërdoruar ditën e punës, duke shpërdoruar paratë e taksave të shqiptarëve nuk punon për arsye se kryetarja e Kuvendit Jozefina Çobaj, nuk ndodhet në Shqipëri. Në krye të një tabori me deputetë të maxhorancës, thjesht të maxhorancës, dhe punonjësve të administratës së Kuvendit, zonja Topalli ndodhet në një tjetër vizitë turistiken Zvicër prej dy ditësh”, - tha Braçe, duke theksuar

kjo është e disata herë që Kryetarja e Kuvendit mbyll Kuvendin për të ikur jashtë shtetit. Sipas tij, ky rast është shembulli më i qartë i arrogancës dhe i abuzimit të pushtetarëve me besimin dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë. “Dua t’u kujtoj se deri tani Jozefina Çobaj apo Topalli ka kryer prej tre vjetësh mbi 700 mijë km udhëtime në Europë, në Azi, në Afrikë, në Arabi, në Amerikë. Vetëm bileta e saj e udhëtimit të sotëm në Zvicër kushton 700 Euro, ose sa 7 pensione pleqërie në qytet, ose sa 14 pensione pleqërie në fshat, ose sa 15 pensione minatorësh që rrinë atje përjashta dhe presin të mbarojë udhëtimin turistik Jozefina Topalli”, - shtoi më tej Braçe. Ndërkohë ai e ka konsideruar të pavërtetë pretendimin se seanca nuk u mblodh për shkak të mungesës së projektligjeve që duhet të diskutoheshin apo miratoheshin. Për të vërtetuar të kundërtën Braçe ka deklaruar se gjatë seancës së djeshme ishte programuar për t’u diskutuar pikërisht projektligji i paraqitur nga PS për dëmshpërblimin e demave të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›