Topalli apel forcave politike Votoni reformat

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli apeloi ndaj forcave politike për bashkëpunim, në një kohë kur tensioni mes opozitës dhe mazhorancës po vjen në rritje, lidhur me ecurinë e deritanishme të reformës zgjedhore e parlamentare, dhe me refuzimin e opozitës për miratimin e Kodit Penal. Duke nënkuptuar sjelljen e opozitës, zonja Topalli tha se vendet e tjera ishin me fat që forcat politike ishin në unison për gjithçka integrimi në BE kërkon.
“Vendet e tjera kanë pasur progres sepse asnjë forcë politike nuk ka bllokuar ligjet për integrimin. Ftoj kolegët të bëjmë atë që të gjithë shqiptarët kërkojnë, votimin e reformave. Jam optimiste sepse shqiptarët e duan integrimin, i cili mund të vonojë ca, por do të vijë”, u shpreh Topalli.
Kryeparlamentarja Topalli i bëri këto komente tek ceremonia e nisjes së projektit të binjakëzimit të financuar me 1.5 milion euroa nga Bashkimi Evropian në mbështje të forcimit të Kuvendit të Shqipërisë.
“Si Kryetare e Kuvendit jam e vetëdijshme që kjo është pjesë e rëndësishme, pjesa që i kërkohet Shqipërisë është që askush të mos bllokojë”, vlerësoi Topalli.
Ambasadori i Bashkimit Europian nënvizoi se Shqipëria duhet të dëshmojë se mban premtimet. BE është mishërimi i vlerave të demokracisë. Sipas tij, vendi duhet të zgjedhë mes rrugës së integrimit europian apo thyerjes së premtimeve.
“Ne kemi premtuar se do t’u ndihmojmë dhe po e mbajmë premtimin, sepse mendojmë se thyerja e premtimeve thyen krizën e besimit. Çdo krizë është padyshim një mundësi për t’u përmirësuar. Pikërisht përmes dialogut BE po mundohet të zgjidhë krizën që e ka kapur, problemet që mund të ketë. Vitin e shkuar përmbyllëm këtë projekt kur në Shqipëri nuk kishte një dialog politik të kopsitur mirë. Shpresojmë që në aspektin politik bashkëpunimi të vijojë. Së bashku me shqiptarët, po punojmë në Grupin e Punës për Rregulloren, po ndjekim punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore, por shohim ecurinë në aprovimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, pikërisht për të parë prova të angazhimit tuaj konkret në ecurinë drejt BE”, deklaroi ambasadori Sekui.
Një ditë më parë komisioneri i BE për zgjerimin Stefan Fyle u shpreh optimist për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Në një intervistë për "ABC News" Fyle tha se vendi ynë ka një plan shumë të mirë për realizimin e 12 rekomandimeve si dhe dialogun politik mes maxhorancës dhe opozitës.