E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli apelon Te votojme me qytetari te lire si qytetare evropiane

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, votoi sot në orën 10.00 në qendrën numër 306, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në qytetin e Shkodrës.

Ajo pas votimit u shpreh se dita e sotme është një ditë feste për të gjithë shqiptarët, pasi kjo është dita e tyre.

Kryetarja e Kuvendit tha se këto do të jenë zgjedhjet më të mira, ku qytetarët, kudo, në çdo cep të Shqipërisë, do votojnë me qytetari, të lirë, si qytetarë evropianë.

"Sot është një ditë e bukur, një ditë me diell.

Unë jam e sigurt se kjo ditë e votimeve për pushtetin lokal, për qeverisjen vendore do të jetë një ditë feste.

Jam shumë e kënaqur; mesa shoh organizimi është i shkëlqyer.

Njerëzit, qytetarët vijnë këtu që herët, për të votuar për atë që do të jetë kryetar i tyre i bashkisë dhe komunës.

Unë jam e sigurt se, këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet më të mira, ku qytetarët, kudo, jo vetëm në Shkodër, por në çdo cep të Shqipërisë, do të votojnë me qytetari , do të votojnë si evropianë”, tha ajo.

Duke shtuar se qytetarët shqiptarë do të japin një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse është dita e tyre.

Është dita, në të cilën, ata vendosin dhe kontributi i tyre do të jetë për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për qytetin e tyre, jo vetëm për qytetarët e tyre.

“Unë i ftoj të gjithë, që të votojnë me qetësi , me qytetari. Është shumë e rëndësishme që, ne të tregojmë se ne votojmë me qytetari dhe kështu po votohet edhe në këto momente; unë besoj se kështu do të vazhdojë gjatë gjithë ditës”, përfundoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›