E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe i kombetares kandidati kryesor per Dinamon e Zagrebit

Këtë herë, duket se Shqipëria duhet të ketë seriozisht kujdes për trajnerin e saj të kombëtares.

Josip Kuzhe është vënë në qendër të vëmendjes nga mediat kroate, duke u quajtur si kandidati kryesor për të zënë vendin e trajnerit të Dinamos së Zagrebit, pasi stoli i bluve kryeqytetas ka mbetur bosh.

Trajneri Vahid Halilhoxhiç dha dorëheqjen menjëherë pas fitores së skuadrës së tij ndaj Interit të Zapreshiçit, duke ia komunikuar këtë dorëheqje presidentit Zdravko Mamiç në dhomën e zhveshjes pas fitores.

Menjëherë pas kësaj, ankandi për pasardhësin nxorri dy emra si më kryesorët për të vazhduar punën në klubin më të madh kroat. Media kroate, “Index”, por edhe ajo boshnjake “sportsport” shkruajnë se në listë janë Josip Kuzhe dhe Mirosllav “Çiro” Bllazheviç, të dy ish-drejtues të ekipit të “Maksimirit”.

Më parë, Kuzhe ka hedhur poshtë mundësinë për t’u rikthyer që tani tek Dinamo, ndonëse ka pranuar se e mendon gjithnjë një kthim të tillë dhe se presidenti Mamiç e ka ftuar 3 herë që të marrë frenat e skuadrës në duart e tij.

Pak ditë më parë, Kuzhe u pa duke pirë kafe në stadiumin “Maksimir”, selinë e Dinamos, por u deklaroi gazetarëve se nuk bëhet fjalë që ai të lerë aventurën shumë tërheqëse me kombëtaren shqiptare, aventurë të cilën shpreson ta çojë deri në fund dhe ku i dihet, të arrijë në finalet e kampionatit europian që do të zhvillohet sezonin e ardhshëm në Ukrainë e Poloni.

Sa i përket Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ajo nuk po nxitohet për të biseduar për kontratën e re të kroatit, duke u shprehur se kjo do të bëhet në kohën e duhur. Kuzhe ka kontratë me FSHF-në deri në fund të eleminatoreve, pra deri në nëntor të këtij viti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›