E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli bisedë me zonjat diplomate mbi historinë e parlamentarizmit

TIRANË- Një takim i veçantë bashkoi në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, klubin diplomatik "Mirëserdhe në Shqipëri", zonja diplomate, bashkëshorte të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, si dhe ish-deputete të Kuvendit të Shqipërisë.

Pritja u organizua nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli në një nga sallat e kryesisë së Kuvendit, e cila ishte shndërruar në një ambient të veçantë ku ishin ekspozuar punime artizanale të bëra me dorë nga gratë shqiptare, kostume tradicionale nga të gjitha trevat në kohë të ndryshme, si dhe piktura me pamjen e qyteteve të vjetra shqiptare të shekullit të kaluar.

Kryetarja Topalli bëri një prezantim të shkurtër të historikut të parlamentarizmit shqiptar qysh me fillimin e tij në vitin 1912, 100 vite më parë, për të vijuar më pas me Këshillin Kombëtar të Lushnjës, Kuvendin Kushtetues, afirmimin e Shqipërisë si Republikë Parlamentare, periudha e mbretërisë shqiptare, periudha e errët e komunizmit e Kuvendit Popullor, dhe më pas rilindja e Parlamentit në vitin 1991.
"Pavarësisht nga vështirësitë dhe sfidat që Parlamenti ka kaluar gjatë kësaj periudhe, unë jam shumë e kënaqur, pasi po të shohim pak më prapa, ku kemi qenë dhe ku jemi, secila prej nesh duhet të jetë jashtëzakonisht krenare se sa shumë ky vend ka ndryshuar, se sa larg ky vend ka shkuar në një kohë relativisht të shkurtër" u shpreh Topalli.

Zonja Liri Berisha vlerësoi rëndësinë e ekspozesë së historikut të parlamentarizmit shqiptar, dhe në veçanti rolin dhe kontributin e gruas ndër vite në konsolidimin e shoqërisë shqiptare.
"Një shoqëri pa rolin dhe kontributin e gruas është e ngurtë. Në rast se gratë sot do të bashkohen dhe do të ndihmojnë njëra-tjetrën, sfidat do të jenë më të lehta. Në rast se zërat e tyre do të bashkohen, zëri i tyre do të jetë i lartë dhe i parikthyeshëm dhe nuk do të mund të mposhtet" u shpreh znj. Berisha.

Bashkëshortja e Kreut të Prezencës së OSBE në Tiranë, Ana Maria Wolllfarth në emër të grave diplomate falënderoi kryetaren e Kuvendit, e cila siç tha ajo : “Hap dyert e Parlamentit, “Shtëpisë së Demokracisë së Shqiptarëve” për të mësuar mbi parlamentarizmin, historinë, dhe për të pasur një imazh se si kanë kapërcyer shqiptarët kohëra të vështira deri në ditët e sotme."
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›