E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, fushatë Kavajë: Edi Rama - emri i alternativës së vetmisë

30-04-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e kuvendit njëkohësisht nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli
në vijim të fushatës elektorale ishte dje e pranishme në komunat e Kavajës ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatët  e “Aleancës për Qytetarin” për komunat, Luz i vogël, Hajrulla Tafa, të Kryevidhit, Haki Veza, të Lekajt, Abedin Gjini si dhe të asaj të Gosës, Eqerem Veliu. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se zgjedhjet e 8 majit, do të jenë zgjedhjet më të mira dhe me standarde më të larta në të cilat shqiptarët do të votojnë të lirë si qytetarë evropianë. Në këtë takim me banorët e Luzit të Vogël, Kryetarja e Kuvendit, Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë Partisë Demokratike ndërsa garantoi se kjo mbështetje do të shndërrohet në projekte, investime dhe financime për zhvillimin e mëtejshëm të zonës ku ata jetojnë. Kryetarja e kuvendit njëkohësisht nënkryetarja e PD-së, Topalli tha se në këto vite, vetëm për prefekturën e kësaj zone janë investuar mbi 199 milionë dollarë, projekte në asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e ujësjellës kanalizimeve, ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave etj. Ajo shprehu garancinë se në katër vitet që vijnë këto investime do të shumëfishohen për t’u dhënë banorëve shërbimet më të mira që ata meritojnë. “Ne shkojmë me një besim shumë të madh në zgjedhjet lokale të 8 majit, të cilat janë zgjedhore vendore, administrative, janë zgjedhje për qytetarin. Ne do të realizojmë zgjedhjet më të mira, me standardet më të larta, zgjedhje qytetare, zgjedhje evropiane. Ashtu siç jemi ne shqiptarët, jemi evropianë, jemi shqiptarë por jemi evropianë. Ne jemi njerëz që besojmë fortë tek sistemi i vlerave, ne jemi njerëz që besojmë fort tek familja, ne jemi njerëz që besojmë fort tek Shqipëria, ne jemi njerëz që besojmë fort tek kombi, dhe këto janë një sistem vlerash që na bëjnë të ndihemi mirë me veten tonë”- tha kryeparlamentarja. Duke vlerësuar programin e kandidatit “Aleanca për qytetarin”, zotit Tafa për zhvillimin e komunës Luz i Vogël, kryeparlamentarja Topalli u ndal edhe tek projektet për zhvillimin e turizmit të kësaj zone por edhe në të gjithë vendin, ndërsa tha se në bashkëpunim me qeverisjen vendore do të bëhet çdo gjë që turizmi të zërë vendin e parë në përqindjen e rritjes ekonomike të vendit. “Unë besoj se 2017 Shqipëria do të jetë një vend i zhvilluar. Nëse ne kemi realizuar dhe kemi bërë të mundur që Shqipëria të jetë kjo që është sot, është meritë e çdo burri, e çdo gruaje, e çdo pensionisti, e çdo djali të ri dhe vajze të re, që ka pasur të drejtën e votës, dhe ka dhënë votën për Partinë Demokratike, për mazhorancën aktuale. Ju ftoj të votoni si qytetarë të lirë të një vendi anëtar të NATO-s  kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”- tha Topalli.
Më tej në fjalën e saj kryeparlamentarja Topalli u ndal edhe te kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, si dhe tek kreu i opozitës Edi Rama për të cilën deklaroi se krahas alternativës së “Aleancës Qytetarin” për të cilën të parët janë qytetarët si dhe zgjidhja e problemeve të tyre, qëndron alternativa e kreut të PS, Edi Rama i cili vjen në këto zgjedhje pa një bilanc arritjesh dhe pa asnjë program duke mos ofruar asgjë për  problemet dhe kërkesat e ngritura nga qytetarët. “Nuk më pëlqen që të merrem me Edi Ramën, realisht. Rama është njeri i alternativës së vetmisë, së rrugës së vetmuar dhe i lënies në vetmi, ndërsa ne shkojmë në zgjedhjet e 8 majit, me program, me ofertë, me qytetërim, me ide, me të cilat kemi treguar, ju jeni dëshmitarë, ne jemi dëshmitarë të gjallë, që kur e themi fjalën ne e mbajmë atë”- theksoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›