Topalli hap Kuvendin: Do jenë 30% gra deputete pas zgjedhjeve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në ambientet e kuvendit gra nga e gjithë Shqipëria. Një vizitë e veçantë ishte ajo e një grupi prej mbi 50 gra të administratës qeveritare të Kosovës. Në një bisedë shumë të ngrohtë gratë kosovare i shprehën mirënjohjen Kryetares së Kuvendit për gjithçka që ajo dhe Kuvendi i Shqipërisë ka bërë për Kosovën. Duke folur për ditën e 8 Marsit dhe rolin që gruaja duhet të kuajë në shoqërinë tonë, Topalli tha se parlamenti i ardhshëm duhet të jetë një përfaqësim real i raporteve që ka sot shoqëria shqiptare. “Si politikë e veçantë e kësaj dite është Parlamenti me dyer e tij të hapura për të dhënë mesazhin që ky duhet të jetë vendi ku shoqëria të jetë e përfaqësuar ashtu siç ajo në fakt është e përbërë. Nëse nuk kemi aktualisht 50 përqind të përfaqësimit të nisim me 30 përqind përfaqësim të grave në Parlamentin e ardhshëm. Unë uroj dhe besoj se ne do ta arrijmë”, tha kryetarja e kuvendit. Sipas saj, “kjo do të sjellë një tjetër mendësi dhe një përqendrim më të madh për të zgjidhur disa probleme që ndoshta për burrat nuk duken aq të rëndësishme, por në fakt janë jetësore për fëmijën, të moshuarin, të sëmurin, sepse ndaj këtyre personave ndjeshmëria e nënave, grave është shumë e madhe”.