E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Burg për dhunën në familje

 

Aristir Lumezi

“Do të ndalim dhunën në familje duke e konsideruar atë pjesë të krimeve penale”. Kreu socialist Edi Rama me rastin e 8 Marsit ka organizuar një takim të zgjeruar me rreth 400 gra të forumit të gruas socialiste dhe shoqërisë civile. Duke përshëndetur të ftuarat në këtë aktivitet, Rama ekspozoi dhe disa nga tezat e programit qeverisës socialist për barazinë gjinore.
“Sot, Shqipëria e grave dhe fëmijëve është më e dhunuar se 4 vjet më parë. Shtimi i rasteve të dhunës ndaj tyre ka rezultuar gjithmonë e më tragjikisht, me raste në rritje të marrjes së jetës. Nuk dua të hyj në shumë detaje, por dua të theksoj se nga njëra anë ka një paaftësi që lidhet dhe me mungesën e vetdijësimit të rasteve të dhunës në familje nga ana e shtetit dhe nga ana tjetër ka një mungesë të theksuar drejtimi për t’i trajtuar ashtu siç duhet të gjitha këto raste. Mbi të gjitha, vullneti për të zbatuar ashtu siç duhet ligjin, në lidhje me dënimin e agresorëve”, tha Rama. sipas tij, “janë të shumta rastet që lidhen me gra që sot janë prapa hekurave, për shkak të veprimeve ekstreme ndaj burrash agresorë. Ashtu si kundër janë fatkeqësisht jo të pakta rastet që agresorët që kanë vrarë gruan apo vajzën janë liruar pas pak kohësh, nën pretekstin e gjendjes depresive”. Kreu socialist shprehu strategjinë e socialistëve për të ulur dhe parandaluar dhunën në familje duke e cilësuar atë krim penal, sicc ndodh dhe në shumë vende evropiane. “Dëshiroj të them sot, se ne e konsiderojmë detyrimin tonë, që të bëjmë çdo përpjekje që elementët ekstrem apo elementët e provueshëm të dhunës në familje t’i bëjmë pjesë të krimeve penale. Ky sigurisht një detyrim, që nuk buron nga shpirti i ndëshkimit, por nga ai shpirt drejtësie që karakterizon shumë prej vendeve të zhvilluara, ku dhuna që lidhet me krimin në familje, trajtohet pikërisht përmes kodit të procedurës penale”, tha Rama. Kreu socialist, si një nga prioritetet e PS, shprehu dhe angazhimin e tij për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike të vendit. Pa ndryshuar radikalisht formën në sistemin vendimmarrës, nuk mund të ndryshojmë shumë çka në jetën tonë të përditshme. Pa ndryshuar radikalisht në treguesit statistikor të pjesëmarrjes së grave, jo thjesht dhe vetëm në politikë, por në sistemin ekzekutiv të këtij vendi, nuk mund të kemi as një pushtet legjislativ më të vetëdijshëm dhe më funksional dhe as një pushtet ekzekutiv më të vetëdijshëm për të garantuar sfidën që kemi përpara”, tha Rama para grave të ftuara. Por kreu socialist shprehu dhe shqetësimin për pamundësinë që kanë shumë nëna të reja që në mungesë të sigurimeve shoqërore, nuk mundin të qëndrojnë pranë foshnjave. “Në Shqipërinë tonë të shekullit të 21-të, në vitin 2009, janë mbi 50 % gratë shqiptare që kur bëhen nëna, nuk e përfitojnë lejen e barrëlindjes se nuk janë mbuluar nga sigurimet. Për këtë arsye, detyrohen ta braktisin foshnjën qysh në fillim, për t’u rikthyer në punën e zezë, apo në arën ku duhet të ndjekin parmendën për shkak të varfërisë”, tha Rama.
Kreu socialist premtoi bonusin e lindjes. “Pas 28 Qershorit, asnjë nënë shqiptare, në asnjë qendër apo periferi të vendit, në asnjë fushë apo mal, nuk do ta lëmë që për shkak të varfërisë, të lërë foshnjën, por do ta mbajmë pranë foshnjes, duke ia mbuluar së bashku përfitimin nga barrëlindja”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›