E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli inspekton punimet në rrugën Rrëshen-Kalimash

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, inpekton punimet në aksin Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. E shoqëruar nga një grup deputetësh, ajo vizitoi paraditen e djeshme këtë segment rrugor, ku u ndal fillimisht në njërin prej këtyre kantiereve. Gjatë rrugës për në tunelin e Kalimashit, një ndër tunelet më të gjatë të Ballkanit, Topalli dhe grupi i deputetëve që e shoqëron, u ndalën në urën nr.4, punimet e së cilës janë afër përfundimit. Më pas Topalli ndoqi nga afër punimet që po kryhen në urën nr.6, e cila është më e gjata e këtij segmenti, 360 metra. “Ndërtimi i tuneleve në këtë terren të thyer malor është një mrekulli e inxhinierisë”, - vlerësoi në një prononcim për gazetarët Topalli, duke cilësuar se me këtë tunel ne po shohim sesi një nga zonat më të braktisura në vend po kthehet në një nga më modernet në aspektin infrastrukturor. Duke iu referuar të dhënave nga drejtuesit e punimeve, kryeparlamentarja Topalli informoi se deri tani punimet në tunele janë realizuar në masën 50.2 për qind. Tunelet e Kalimashit janë 2 shpime paralele, 5.5 km secili. Duke e konsideruar autostradën Durrës-Kukës-Morinë, si një vepër që lidh Shqipërinë me tregjet e Kosovës dhe që normalisht do të ndikojë në ekonominë e të dy vendeve, Topalli nënvizoi se “është e pabesueshme që për një vit po realizohen 27 ura, një numër ky shumë herë më i lartë se ai i urave të realizuara në 15 vitet e fundit”. Kryeparlamentarja shoqërohej nga deputetët Lajla Përnaska, Albert Faruku, Rahim Kaleci, Pal Dajçi, Gjok Vuksani, Gjovalin Prenga, Safet Sula, Leonard Demi dhe Aurel Bylykbashi.

Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›