Ambasadorët: Zbardhni Gërdecin, që të merrni fonde për demontimin e armëve
Shaban Sulçe
Zbardhja e tragjedisë së Gërdecit, në këmbim të mbështetjes financiare për të demontuar armët. Ky ka qenë kushti i ofruar nga ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë, për qeverinë shqiptare. Qëndrimet e tyre janë bërë publike gjatë takimit të djeshëm që Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa zhvilloi me Ambasadorët e vendeve të NATO-s në Shqipëri. Tema kryesore e këtij takimi ishte pikërisht çështja e demontimit të armëve në vendin tonë. Gjatë fjalës së tyre në këtë takim, ambasadori i Danimarkës dhe Ambasadori i Hollandës shprehën gatishmërinë e vendeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në demilitarizimin dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare. ” Jemi të gatshëm të mbështesim financiarisht për demontimin e armëve. Por, në fillim duhet të zbardhet tragjedia e Gërdecit, e cila ka qënë një ngjarje e rënde. Kërkojmë një raport të hollësishëm mbi gjithçka ka ndodhur në Gërdec, shkaqet, shkaktarët dhe pasojat që solli kjo tragjedi. Më pas do të flasim për ndihmën financiare e cila jam i bindur se nuk do të mungojë”,-tha ambasadori danez, Niels Severin Munk, deklarata e të cilit pati edhe mbështetjen e ambasadorit holandez. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uidhers.
Oketa
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa tha se tragjedia e Gërdecit nxorri edhe më shumë në pah rrezikun që i kanoset Shqipërisë si rezultat i sasive të mëdha të municioneve, që vendi trashëgoi nga diktatura komuniste 50-vjeçare. “Gërdeci bëri që ky realitet i municioneve të tepërta, tashmë të mos përjetohet vetëm nga ushtarakët të cilët merren çdo ditë me këtë rrezik, por dhe nga institucionet e tjera dhe nga vetë qytetarët. Ajo që ndodhi bëri që ne të intensifikojmë përpjekjet për eliminimin sa më shpejtë e mundur të këtij rreziku, që ky rrezik tashmë të shihet nën një kënd tjetër.
Në këtë angazhim, qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes ka parë dhe vazhdon të shohë si partnerë dhe mbështetës të vërtetë të gjitha qeveritë e vendeve aleate që na kanë ndihmuar, të gjitha organizmat e huaja që na kanë mbështetur dhe përkrahur ndjeshëm”, tha Oketa. Ai theksoi se qeveria shqiptare ka gati plan-veprimin, i cili falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtar do të eleminojë brenda vitit 2010 të gjitha rreziqet që i kanosen popullisë nga sasia e tepërt e municioneve. “Ky plan-veprim i mirëdetajuar parashikon që në vitin 2010 rreziku nga municionet për popullatën të jetë reduktuar në zero dhe brënda vitit 2015 e gjithë sasia e municioneve të tepërta të jetë eliminuar”, vijoi ministri i Mbrojtjes.
Inventari
Kreu i dikasterit të Mbrojtjes tha se në invetarin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë shënohen më shumë se 25 depo municioni, të cilat mbajnë rreth 100 mijë tonë municione të llojeve të ndryshme. Ai theksoi se demontimi i tyre do të bëhet në kushte të një sigurie të lartë, në dy prej fabrikave më të rëndësishme në vend, konkretisht në Poliçan dhe në Mjekës. “Forcat e Armatosura Shqiptare kanë në inventarin e tyre aktualisht më shumë se 25 depo municioni të cilat mbajnë rreth 100.000 tonë municione të llojeve të ndryshme. Duhet të theksoj se demontimi industrial i municioneve do të bëhet në kushte të larta sigurie në dy prej fabrikave më të rëndësishm në vend. Të dyja fabrikat e municioneve në Mjekës dhe Poliçan do të licencohen dhe certifikohen sipas rregullave për të kryer operacione të demontimit industrial të municioneve. Secila fabrikë do të jetë në gjendje të operojë në të njëjtën kohë të paktën dy linja demontimi paralele”, tha Oketa.
19 Korrik 2008