Berisha inauguron rrugën Shkodër-Hani i Hotit
Kryeministri Berisha inauguroi dje nisjen e punimeve të rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Rruga me gjatësi 40 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra është financim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, me vlerë 40 milionë euro. Sipas Berishës, “ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë, ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi. Një koincidencë shumë e bukur sot, pasi me Kryeministrin e Malit të Zi inaugurojmë doganën e përbashkët në Muriqan”. Kreu i ekzekutivit vlerësoi kompaninë italiane “Matarresse”, e cila do të kryejë punimet e rrugës. “Autostrada do të ndërtohet nga një prej kompanive më të njohura në Itali ‘Matarresse’, e cila merr përsipër një ndër punimet më cilësore dhe sjell këtu teknologjinë më të mirë të ndërtimit të rrugëve. Dua ta përgëzoj këtë kompani dhe t’i shpreh vlerësimin tim të madh se autostradën do t’ia dhurojë Shkodrës, Shqipërisë, por edhe Malit të Zi në një kohë shumë më të shkurtër, sesa është parashikuar”, vijoi Berisha. r.d