Festat e nëntorit, Oketa: Datat i caktojnë historianët, jo politikanët
Deputeti demokrat, Gazmend Oketa ka uruar dje nëpërmjet faqes së tij në ‘Facebook’, shqiptarët për festat e nëntorit, atë të Pavarësisë dhe të Çlirimit. Por ndryshe nga drejtuesit e mazhorancës ku bën pjesë, Oketa nuk ka bërë dallimin me data të këtyre dy festave, duke u shprehur se për datat vendosin historianët, dhe jo politikanët.
“Unë kam uruar festat dhe jo datat. Në gjykimin tim, datat i caktojnë historianët dhe jo politikanët. Besoj se atje ku jetoni, duhet të keni dëgjuar urimin ‘Buone Feste’, Krishtlindje dhe Vitin e Ri në një urim”, - i përgjigjet Oketa njërit prej miqve të vet në ‘Facebook’ lidhur me këtë debat. Duke iu përmbajtur kësaj logjike, Oketa u shpreh se nuk është dakord për politizimin që i është bërë këtij debati, ndërsa ka theksuar se “të tilla festa duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë”.