E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli na mban peng pasaportat diplomatike

Deputetët e PS-së

Deputetët e rinj të Partisë Socialiste ende nuk janë të pajisur me pasaporta diplomatike, ndonëse ligjërisht ju takon një e drejtë e tillë. Lajmin për gazetën “Shqip” e konfirmojnë edhe ligjvënësit e rinj të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Eltar Deda. Ata theksojnë se dokumentacioni i tyre prej një muaji qëndron në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas deputetëve të PS-së, Kryeparlamentarja qëllimisht duhet se e vonon këtë procedurë normale të dikuar nga ligji, e cila duhet të ishte përmbushur muaj më parë. “Kemi plotësuar më shumë se një muaj më parë edhe formularin për t’u pajisur me pasaportën diplomatike, konform ligjeve dhe dosja me dokumentet tona i ka kaluar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ende nuk ka vendosur t’ia kalojë Ministrisë së Jashtme për procedim”, shpjegon Gjiknuri. Sipas ligjit në vend, të drejtën e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë ushtrimit të detyrës e ka Presidenti i Republikës, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, Kryeministri dhe ministrat, deputetët dhe sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, dhe ai i Këshillit të Ministrave. Por ligji u jep të drejtën e pajisjes me këto pasaporta edhe krerëve të disa institucioneve, si kryetarit të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Lartë dhe drejtuesve të Shërbimit Informativ, Kombëtar dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Por nga ana tjetër, të drejtën për t’u pajisur me këto pasaporta e kanë edhe bashkëshortët dhe fëmijët e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit Popullor, kreun e Këshillit të Ministrave dhe anëtarëve të personelit diplomatik ose konsullor të Republikës së Shqipërisë, që janë jashtë vendit. Me kryerjen e betimit në Parlament rreth një muaj më parë, deputetët socialistë të cilët kishin gjashtë muaj që bojkotonin Parlamentin, arritën të merrnin edhe pagat e tyre, të cilat nuk ju ishin dhënë më parë. Bashkë me marrjen e pagave mujore, deputetët e PS-së kanë të drejtë të përfitojnë edhe privilegjet e tjera, të cilat jua sjell statusi i tyre si të zgjedhur të qytetarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›