PS hyn dhe del nga seanca. Meta: Duan ta destabilizojnë vendin
Parlamenti i Shqipërisë dje “xhiroi” sërish bosh në seancën e pasdites. Deputetët e Partisë Socialiste, siç kishin deklaruar u bënë pjesë e 60 minutëshit të debatit të hapur dhe më pas lanë në mënyrë demonstrative sallën. Ky veprim u ndoq më pas nga kritikat e ashpra ndaj opozitës, lëshuar prej kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Në fjalën e tij para Kuvendit, deputeti socialist, Namik Dokle, tha se “seanca e fundit parlamentare nxori në dritë përpara opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, mungesën e plotë të vullnetit politik të Partisë Demokratike për zgjidhjen e krizës që po rëndohet çdo ditë e më shumë; mungesën e plotë të vullnetit për zbatimin e parimit kushtetues të transparencës”. Sipas tij, nëpërmjet hetimit do të dalë në dritë të diellit masakra e vërtetë elektorale kundër votës së lirë, që u projektua, u organizua dhe u realizua nga qeveria, Kryeministri, deputetët dhe falangat e tyre. Dokle insistoi se deputetët socialistë, me qetësi dhe argumente, sollën në vëmendje të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar qindra fakte nga i gjithë vendi për dhjetëra e dhjetëra Ruzhdie që shkatërruan plotësisht apo pjesërisht parimin e paprekshmërisë së votës së lirë të qytetarit; me dhunë dhe manipulime, me votime nga rrugaçët elektoralë për llogari të emigrantëve, me falsifikim të votave të zgjedhësve që nuk ishin pajisur kurrë me pasaportë apo kartë identiteti, deri te firmosja false e dokumenteve zgjedhore. “Kjo nuk është një krizë e zakonshme; kjo është një krizë e jashtëzakonshme që u rëndua edhe më shumë me qëndrimin refraktar të qeverisë në seancën e fundit, duke hedhur poshtë ofertat tona ligjore për kompromis e dialog dhe zgjidhjen e krizës brenda Parlamentit”, tha Dokle. Pas fjalës së Dokles, deputetët socialistë kanë dalë nga seanca ndërsa mori fjalën zëvendëskryeministri Ilir Meta. Ai u shpreh se qëllimi i vërtetë i PS-së nuk është transparenca e zgjedhjeve, por siç tha Meta, destabilizimi i vendit. “Këta nuk duan transparencën e zgjedhjeve, po destabilizimin dhe turpërimin e Shqipërisë”, tha Meta. Zv.kryeministri u shpreh se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat legjitime të opozitës, përmes të cilave mund të realizohet plotësisht transparenca e zgjedhjeve. “Opozitës iu desh 6 muaj që të kuptonte se duhet të vinin në Parlament, të paraqisnin disa nisma. Mazhorancën e kanë, komisioni është krijuar, të vinë kur të duan. Duan kryetarin e kanë, duan të hetojnë për financime të dyshimta, të hetojnë, duan të hetojnë për kutitë, le t’i drejtohen Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias”, u shpreh zv.kryeministri. Më pas, kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, ftoi edhe njëherë opozitën që të respektojë Kushtetutën dhe rregullat e lojës demokratike. “Fakti që keni ardhur sërish në Parlament do të thotë që po dilni pak nga pak nga kutitë që ju ka mbyllur Edi Rama”, u shpreh Patozi. Numri një i deputetëve demokratë u kërkoi opozitarëve që të heqin dorë nga ultimatumet dhe theksoi se përmes kërcënimit nuk mund të detyrojnë qeverinë që të shkelë ligjin. “Jeni të lirë për të hyrë dhe për të dalë nga Kuvendi sa herë të doni, për të bërë protesta sa herë të doni, por darët e ligjit do të veprojnë mbi çdo agresor që do të cenojë rendin kushtetues”, u shpreh Patozi.
#