PS-LSI, delegacione të veçanta në takimin e PSE-së në Bosnjë
Vështrimi i të majtës shqiptare mbi krizën politike në vend mund të transferojë paradoksin e përplasjes së saj edhe në tryezat e socialistëve europianë. Kështu, në datat 30-31 mars, në Sarajevë pritet të zhvillohet një aktivitet i gjerë politik i partive socialiste europiane që nga Shqipëria do të ketë si të ftuar ndër të tjera drejtuesit e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. është e pritshme që debatet dhe fërkimet që ndajnë tanimë këto dy parti politike të së majtës shqiptare të projektohen në diskutimet e këtij aktiviteti, qoftë edhe pse përfaqësues të PSE në Parlamentin Europian janë angazhuar në zgjidhjen e krizës shqiptare. Nga ana tjetër, është vetë tema e aktivitetit në fjalë “E majta dhe rajoni i Ballkanit”, që bart mundësi potenciale për një riprodhim të ndasive shqiptare në Bosnjë. Në kërkim të një zgjidhjeje të kënaqshme, paradoksalisht aleatët e dikurshëm janë vënë së fundmi në një garë për të fituar përkrahjen ndërkombëtare edhe të socialistëve europianë, si një faktor me peshë në arenën ndërkombëtare. Nëse PS do të aderojë në këtë takim si përfaqësuese e opozitës, në përpjekje për të legjitimuar veten përmes transparencës së zgjedhjeve, LSI do të prezantohet si pjesë e shumicës me qëndrime diametralisht të kundërta. Në këtë kuadër nuk mund të mohohet mundësia e ndërhyrjeve për ndërmjetësim edhe pse palët kanë shkuar tani shumë larg sa për të menduar një pajtim të afërt. Ky parashikim lidhet në fakt me dimensionin e vështirë të aktualitetit të brendshëm shqiptar, pasi tematika e aktivitetit fton në vetvete për një diskutim shumë të gjerë. Statusi i ministrit të Jashtëm i kreut të LSI-së dhe vizita e tij në Serbi mund të shënojë një akt pozitiv pasi siguria dhe stabiliteti mbeten edhe në optikën e së majtës europiane problemet kryesore të rajonit ballkanik. Kriza ekonomike e Greqisë dhe depërtimi i pasojave të saj edhe në Shqipëri, apo më gjerë janë një opsion që kërkon kontributin e së majtës dhe bashkërendimin e veprimeve të saj. Për të mbetur te stabiliteti dhe te leximi shqiptar i takimit të Sarajevës, është me vend të kujtohet se së fundmi retorika politike në Shqipëri mes pozitës dhe opozitës po i referohet gjithnjë e më shumë këtij elementi të shtetit. Mund të mendohet fare mirë pra se rreshtimi i palëve në llogore të çojë në referimin e dy raporteve për situatën në Shqipëri, duke e prezantuar të majtën të përçarë dhe me një kontradiktë shumë vështirë të kapërcyeshme. Përtej situatës së brendshme për Shqipërinë qëndron edhe situata në Kosovë, për të cilën Partia Socialiste ka mbajtur një qëndrim jo shumë aktiv, edhe për faktin se qetësimi relativ e ka zbehur rolin e kësaj çështjeje në sigurinë rajonale.
#