Topalli nderon Kelmendin: Do ndryshojë ligji i të përndjekurve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi dje fshatin Tamar në Kelmend të Shkodrës, për të përkujtuar 64-vjetorin e kryengritjes antikomuniste në këtë zonë. Kryeparlamentarja premtoi përpara banorëve të kësaj zone se ligji i të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin e tyre do të ndryshojë. Ajo premtoi se në këtë ligj do të përfshihen më shumë përfitues. “Në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë do të përfshihen edhe familjarët e atyre që janë pushkatuar pa gjyq”, - deklaroi Topalli. Me rastin e 64-vjetorit të kryengritjes antikomuniste, Topalli e cilësoi këtë ditë si “një ditë të madhe reflektimi”. Kryengritja e Kelmendit, e nisur më 25 janar të vitit 1945, vazhdoi për ditë të tëra, ku qindra banorë të zonës kryesuar nga Prek Cali luftuan për përmbushjen e aspiratës së tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike. Pas luftimeve të ashpra, ata u rrethuan nga forcat e sigurimit, të cilët vranë mbi 70 vetë, mes të cilëve edhe gra, si dhe dogjën me dhjetëra shtëpi. “E kemi detyrim së pari të kujtojmë dhe të përpunojmë të kaluarën më të zymtë dhe më të egër jo vetëm të zonës së Kelmendit e Shkodrës, por të gjithë shoqërisë shqiptare”, - tha kryetarja e Kuvendit. Topalli sulmoi edhe kreun e opozitës, Edi Rama, të cilin e quajti njeri pa kurajo të dënojë krimet. “Shpreh keqardhjen që Edi Rama dhe një pjesë e Partisë Socialiste nuk gjejnë dot kurajon të kërkojnë falje, nuk gjejnë kurajon të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dhimbje e madhe. Këtë e them për krerët e Partisë Socialiste, që e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara dhe jo për atë pjesë të shoqërisë që ata përfaqësojnë”, - tha ajo. Kryeparlamentarja vlerësoi edhe reformat e qeverisë së djathtë. “Më thoni se cila qeveri ka dyfishuar buxhetin, ka rritur pagat e arsimtarëve, mjekëve, pensionistëve, në fshat e qytet. Projektet tona gjatë këtyre tri viteve kanë qenë të jashtëzakonshme dhe falë kësaj pune janë rritur bizneset dhe është ndryshuar mentaliteti për investimet e huaja. Shqipëria po ndryshon nga maja më lartë e Veriut deri në cepin më jugor me një infrastrukturë të zhvilluar”, - theksoi Topalli.