Topalli në Kombinat: Karrigia e deputetit nuk i jep Ramës 15%
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit të zhvilluar me gra të lagjes së Kombinatit në kryeqytet, duke u ndalur tek punësimi si prioriteti i ardhshëm i koalicionit të djathtë, kritikoi ashpër kreun e Bashkisë Edi Rama. Edi Rama, kryetari i Bashkisë nuk u njeh diplomat nxënësve, theksoi ajo.
Duke vazhduar kritikat ndaj deklaratave të kryebashkiakut të Tiranës, Rama, që është njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Topalli tha se ai nuk pranoi të hyjë në listën e deputetëve, pasi karrigen e deputetit e konsideron një vend që nuk të jep dot 15%. Në kuadër të turit "Gratë për fitoren", Topalli vuri në dukje arritjet e prekshme dhe premtimet e mbajtura të qeverisë në këto katër vite. Ajo theksoi se prioriteti kryesor i mandatit të dytë do të jetë punësimi. "Në mandatin e dytë fokusimi ynë, do të jetë: e para, punësimi, e dyta, punësimi, e treta, punësimi. 160 000 vende pune, është një premtim që do të mbahet, sepse vetëm të kontraktuara nga Kryeministri Berisha dhe vetëm nga marrëveshjet ekonomike, të votuara në Parlament, janë 5 miliardë euro të tjera. Dhe kjo do të thotë punësim dhe të ardhura, theksoi nënkryetarja e PD-së.