PD dënon dhunën e policisë bashkiake për heqjen e lajmërimeve të Topallit
Partia Demokratike ka dënuar heqjen e njoftimit të takimit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në lagjen e Kombinatit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, përfaqësuesja e kësaj force politike ka reaguar për këtë veprim, duke akuzuar kryetarin e Bashkisë, njëkohësisht dhe liderin socialist Edi Rama.
Dënojmë dhunën e ushtruar nga Edi Rama, i cili duke përdorur pushtetin e tij në Bashkinë e Tiranës, përmes policisë bashkiake dhe inspektoratit të ndërtimit, ka hequr në mënyrë vandale njoftimin që lajmëronte takimin e kryetares së Kuvendit, nënkryetare e Partisë Demokratike me nënat dhe zonjat në lagjen e Kombinatit. Me sa duket, i tronditur nga pjesëmarrja shumë e dobët e mitingut të tij të djeshëm në Kombinat, pavarësisht autobusëve të sjellë nga qendra, kryetari i Bashkisë ka urdhëruar grisjen e njoftimeve te takimit të ditës së enjte të kryetares së Kuvendit dhe nënkryetares së Partisë Demokratike, theksoi ndër të tjera Mëhilli. Duke iu drejtuar kreut socialist, ajo ka theksuar se verdiktin që ai meriton do ta japin qytetarët, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë në 28 Qershor.I kujtojmë z. Rama, që organi kompetent për vendimmarrjen në territor që jep lejet është Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe jo Koçot e kryetarit, që mbajnë peng trotuaret e Tiranës dhe ju vënë gjoba bizneseve për të reklamuar produktet e tyre, përfundoi zëdhënësja e PD-së.