E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gumi: Karta e identitetit, kusht për të tërhequr ndihmën ekonomike

Shtetasit që trajtohen me ndihmë dhe shërbime sociale, por që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, duhet të depozitojnë fotokopjen e kartës së identitetit që të marrin pagën e caktuar për muajin qershor, sipas një urdhri të lëshuar nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi. Sipas këtij urdhri, kryefamiljari, së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, që nuk posedojnë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashki apo komunë ku jetojnë, që të përfitojnë ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009. Ky urdhër përfshin dhe kategoritë e personave me aftësi të kufizuara që nuk posedojnë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, si dhe personat që përfitojnë pagesë papunësie, por që nuk posedojnë pasaportë. Urdhri u është bërë i ditur gjithë strukturave në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe çdo njësie vendore, duke kërkuar prej tyre zbatimin korrekt të tij. Inspektorët rajonalë janë udhëzuar të ndjekin zbatimin e urdhrit dhe të raportojnë në mënyrë periodike pranë kabinetit të ministrit të Punës mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, që janë përfitues nga mbështetja me të ardhura nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe asaj të papunësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›