Glover vlerëson të rëndësishme pajisjen e qytetarëve me karta
Ambasadorja e misionit ODIHR, Audrey Glover, që vëzhgon zgjedhjet parlamentare në Shqipëri e ka cilësuar pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, përgjegjësi të qeverisë. Sipas saj, çdo shqiptar duhet të ketë mundësi të votojë, dhe ky proces po monitorohet me vëmendje nga misioni. Është shumë e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët me të drejtën e votës që nuk disponojnë dokumente të tjera të posaçme të pajisen me karta identiteti para 28 qershorit.
Kjo ka rëndësi të padiskutueshme. Është përgjegjësi e qeverisë, po si me të gjitha politikat, aplikimi dhe shpërndarja e kartave te identitetit ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve dhe gjithë partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin me vëmendje në terren këtë proces dhe në ekipin qendror kemi një ekspert që po merret posaçërisht me çështjen e listave të votimit dhe kartave të identitetit, ka theksuar ajo. Ndër të tjera shefja e misionit të ODIHR, në lidhje me rrezikimin e dështimit të zgjedhjeve për shkak të mospajisjes së qytetarëve me karta deri në 28 qershor, ka theksuar se ka ende kohë që ky proces të përmbyllet në mënyrën më të suksesshme. Glover ka folur edhe për shqetësimet e ngritura nga qeveria për emërimin e saj në krye të misionit vëzhgues të ODIHR, duke thënë se do të kryejë misionin e saj pa paragjykime dhe u shpreh plotësisht e vendosur për ti vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme dhe objektive. Është e vërtetë që janë shprehur shqetësime për emërimin tim, për shkak të raportit të ODIHR-it që u bë publik kur unë isha në krye të ODIHR-it në Varshavë. E kuptoj që jo të gjithëve u pëlqyen konkluzionet e paraqitura në atë raport, të cilat shprehnin konstatimet e atyre që ishin këtu në atë periudhë, nënvizoi ajo. Gjithashtu, Glover ka shprehur dëshirën e saj që procesi i pajisjes me kartat e identitetit të përfundojë me sukses dhe të gjithë qytetarët me të drejtë vote të ushtrojnë kështu të drejtën e tyre për të votuar. Institucioni që monitoron zgjedhjet në vendin tonë, OSBE-ODIHR ka publikuar javën e kaluar, raportin e parë të fushatës parazgjedhore. Vëzhguesit janë ndaluar në disa probleme të cilat janë hasur gjatë periudhës 8-21 maj në vendin tonë, duke ngritur zërin tek problemi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Një tjetër shqetësim haset nga vëzhguesit edhe nga polarizimi i skajshëm i dy partive, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndonëse e kanë filluar fushatën përpara afatit zyrtar, që është 29 maji. Vëzhguesit afatgjatë në raportin e paraqitur kanë bërë një përmbledhje të shqetësimeve që partitë kanë paraqitur për administrimin e zgjedhjeve. Një tjetër problem i ngritur në këtë raport është media, e cila sipas vëzhguesve të OSBE-ODIHR është pluraliste, por jo e pavarur. Në raport përmenden gjithashtu vonesat në dorëzimin e listave dhe se nëpërmjet krijimit të pragjeve elektorale, 3 për qind për parti dhe 5 % për koalicion shumë prej subjekteve politike rrezikojnë ekzistencën. Duke folur për rolin e gruas në politikë, ODIHR e cilëson atë si të limituar, ndërsa citon se sipas Kodit zgjedhor këtë vit pritet që 30% e deputetëve në Kuvendin e ri të jenë femra.