E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Spanjë, takohet me kryeministrin Zapatero

Madrid, 14 tetor 20:26 NOA - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli merr nga Spanja garancinë për ratifikim të shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe mbështetje në rrugën integruese për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut dhe në Bashkimin Evropian.  

Në vizitën e parë të një Kryetari Kuvendi të Shqipërisë në Spanjë,  Jozefina Topalli, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Spanjës Jose Luis Rodrigez Zapatero.

Kryeministri Zapatero e vlerësoi këtë vizitë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, si një vizitë shumë të rëndësishme që do të nxisë të tjera shkëmbime vizitash mes dy vendeve dhe do të rrisë nivelin e bashkëpunimit.

“Është shumë e rëndësishme për ne”, - tha Kryetarja Topalli, që Spanja ishte ndër vendet e para që ratifikoi MSA-në, Shqipëri-BE.

“Shpresojmë që gjithashtu,vendi mik spanjoll do të ratifikojë së shpejti edhe Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.

Kryeministri Zapatero garantoi Kryetaren e Kuvendit se procesi i ratifikimit të këtij protokolli nga Spanja, do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, dhe se Spanja mirëpret anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO.

Kreu i Qeverisë Spanjolle theksoi se është në pritje të vizitës së Kryeministrit shqiptar Berisha, në Spanjë.

Kurse kryetarja e Kuvendit tha se do të ishte në nderin dhe kënaqësinë e Shqipërisë të presë në një vizitë së afërmi edhe Kryeministrin Zapatero.

***

Kryetarja e Kuvendit gjatë vizitës së saj zyrtare në Spanjë me ftesë të Kryetarit të Senatit spanjoll, do të zhvillojë takime edhe me Kryetarët e Senatit dhe Parlamentit të Spanjës, ministrin e Jashtëm, dhe do të marrë pjesë në seanca dëgjimore me komisionet parlamentare.

Temë e veçantë e këtyre takimeve do të jetë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rritja e bashkëpunimit veçanërisht në fushën ekonomike.

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›