E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli nuk u jep as batanije grevistëve

 

Deputetët grevistë shprehen të pakënaqur lidhur me mënyrën se si po trajtohen nga Kuvendi. Sipas tyre, administrata e Kuvendit nuk i ka plotësuar kushtet minimale për zhvillimin e grevës. Edhe pse administrata e Kuvendit po sillet në mënyrë jo normale ndaj 10 deputetëve grevistë, deputetët shprehen se janë të vendosur që ta vazhdojnë grevën deri në fund deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Deputeti i PDK-së, Ndue Shpani deklaroi dje për “Panorama”, se “me gjithë problemet e hasura, greva po vazhdon normalisht”. “Siç e dini ne po mbushim 48 orë nga ngujimi jonë. Greva nisi me ca probleme dhe ne si grevistë e vazhduam atë, pati ndërprerje të sistemit të ngrohjes, të ujit, pothuajse nuk pati furnizim me ujë. Na u ndërpre lidhja me telefoninë mobile. Tani që ne vazhdojmë grevën nuk lejohet as dhe një batanije, apo dhe gjëra të tjera, nuk lejohet të futet asnjë gjë tjetër. Absolutisht ne jemi të vendosur ta çojmë grevën deri në fund”, deklaroi Shpani. Ndërsa deputeti tjetër demokristian Ymer Tola deklaron se, “Policia dhe Garda nuk po lejon që njerëzit të futen në sallë ku po zhvillohet greva e urisë”. Tola konfirmoi gjithashtu se nuk u është lejuar që të futen batanijen në sallën ku ata po zhvillojnë grevën e urisë. Dy deputetët shprehen se ditën e djeshme janë lejuar që doktorët të japin ndihmën mjekësore për deputetët e ngujuar në grevë urie. Mjekët i kanë dhënë deputetëve serum, disa ilaçe, si trisol, për tretësira, për të kompensuar tharjen e lëngjeve dhe kripërave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›