Greva, Moisiu: Të gjendet zgjidhja
aristir lumezi
Ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu bëri dje përgjegjës politikën shqiptare për grevën e urisë së deputetëve. Gjatë një prononcimi ekskluziv për gazetën "Panorama", ish-presidenti i Republikës shprehet se një situatë e tillë nuk është aspak normale. "Duke parë deputetët e ngujuar në parlamentin e vendit, mendoj se kjo nuk është një gjë normale. Përgjegjësia sipas mendimit tim bie mbi klasën politike që gjërat të shkojnë deri në këtë pikë", tha Moisiu. Si njeriu që gjatë gjithë kohës së tij si president u mundua të qëndronte mbi palët, Moisiu shprehet se duhej të ishte gjetur një zgjidhje. "Duhej të ishte gjetur një zgjidhje dhe besoj se zgjidhja do gjendet, për një gjithëpërfshirje të forcave politike në administratën zgjedhore", tha Moisiu. Ish-kreu i shtetit ka qenë mjaft aktiv në zhvillimet politike në vend. Ai ishte një nga nënshkruesit e kërkesës për referendum për ndryshimet kushtetuese. Ai i ka cilësuar ndryshimet e fundit kushtetuese thelbësore që kërkonin miratimin me referendum.
"Unë jam nga nënshkruesit për të zhvilluar referendum për ndryshimet. Nuk pati ndryshime te vogla elementare por themelore. Është gjë tjetër ndryshimet për sistemin zgjedhor, pasi pati një diskutim paraprak të gjerë. Ndryshimi i zgjedhjes së presidentit është absurd në një kohë që kemi Avokatin e Popullit që zgjidhet me 84 vota. Atëherë kush është më i rëndësishëm? Mënyra si u zhvillua si qytetar dhe si ish-president nuk më ka pëlqyer. Presidenti Topi ka mbajtur një qëndrim të drejtë pasi aq ka mundësi, aq i lejon kushtetuta. Gjatë drejtimit tim ka pasur dy ndryshime kushtetuese. Për shtimin e numrit të anëtarëve të KQZ dhe kohëzgjatjen e mandateve të kryetarëve të bashkive për të cilat ishte diskutuar gjatë", është shprehur Moisiu gjatë një interviste kohë më parë. Gjithashtu ish-presidenti i Republikës është shprehur gjithashtu kundër rrëzimit nga ana e kuvendit e dekreteve të kreut të shtetit Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Moisiu e cilësoi rrëzimin e tyre në kuvend si një veprim që s'duhej të ndodhte. "Është një sinjal jo i mirë që jepet për të ardhmen e demokracisë shqiptare", është shprehur Moisiu kohë më parë.